Ndërlidhjet

Pro dhe kundër privilegjeve


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës shprehin opinione të ndryshme sa i takon vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për heqjen e disa privilegjeve për deputetët e Parlamentit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim që t’u ndërpresë deputetëve të vendit privilegjet e përcaktuara me ligj, duke i cilësuar ato si antikushtetuese.

Vendimi pasoi kërkesën e Avokatit të Popullit për anulimin e nenit 14 paragrafi 1.6 dhe disa nene të tjera të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese sqarohet se pas analizimit të ligjeve, rregulloreve e dispozitave kushtetuese vendore në fuqi, por edhe pas konsultimit të legjislacioneve me praktikat botërore, është konkluduar se kërkesa e Avokatit të Popullit është e pranueshme.

Vendimi i gjykatës u kundërshtua nga shefi Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, i cili tha se deputetët duhet të dallohen nga qytetarët e tjerë. Madje, sipas tij, deputetët duhet t’i kenë disa privilegje për të ushtruar detyrat e tyre.

“Unë mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet dhe me siguri zyra ligjore do të bëjë një interpretim. Ne i respektojmë ato vendime, por ne vlerësojmë se Parlamenti dhe institucionet tona duhet të mendojnë që kjo çështje të definohet me një ligj të veçantë dhe të qartësohet se cili është, vërtet, pozicioni i deputetit të Parlamentit të Kosovës”, u shpreh Grabovci.

Edhe deputetja e Aleancës Kosova e Re, Myzejene Selmanaj, nuk pajtohet me vendimin e Kushtetueses, të cilin e konsideron të pabazuar në Kushtetutë. Ajo shprehu bindjen se gjykata ka bërë një gabim kur ka marrë vendimin për heqjen e disa privilegjeve për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
I gjithë vendimi nuk bazohet në asnjë nen të Kushtetutës, ndërsa se si do të zgjidhet çështja e ligjit të deputetëve, do të mbetet tash të shqyrtohet.



“I gjithë vendimi nuk bazohet në asnjë nen të Kushtetutës, ndërsa se si do të zgjidhet çështja e ligjit të deputetëve, do të mbetet tash të shqyrtohet. Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë, por nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese jep më shumë mendime politike, sesa mendime të ekspertëve”, tha zonja Selmanaj.

Krejt ndryshe reaguan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, tha se disa nga nenet që kanë të bëjnë me privilegjet e deputetëve nuk përkojnë me gjendjen ekonomike e sociale në vend dhe si të tilla janë antikushtetuese.

Visar Ymeri
Visar Ymeri
“Ky vendim i Gjykatës Kushtetues është i drejtë dhe nuk do të duhej të problematizoheshin vetëm pensionet suplementare, po duhet të problematizohen edhe pagat e deputetëve, të cilat janë shumë të larta krahasuar me gjendjen ekonomike në Kosovë. Gjithashtu, edhe privilegjet e tjera që i gëzojnë deputetët, të cilat, konsideroj unë, janë përveçse të padrejta, në disa raste edhe të panevojshme”, theksoi Imeri.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje thanë, po ashtu, se shqetësim mbetet edhe mosha e pensionimit të deputetit, ngase në asnjë shtet të Bashkimit Evropian dhe në shumicën e vendeve të rajonit deputetët nuk gëzojnë pension suplementar para moshës 55-vjeçare.

Me ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit parashihej që: Deputeti me 1 mandat merr 50 për qind të pagës së deputetit, deputeti me 2 mandate merr 60 për qind të pagës së deputetit dhe deputeti me tri mandate merr 70për qind të pagës së deputetit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është mirëpritur edhe nga organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e Kuvendit.
XS
SM
MD
LG