Ndërlidhjet

Ndihma ruse kalon të premten?


Kamjonët me ndihma nga Rusia
Kamjonët me ndihma nga Rusia
Bashkimi Evropian është i interesuar që sa më parë të mundësohet kalimi i ndihmave humanitare ruse për në pjesën veriore të Kosovës, thanë përfaqësues të këtij institucioni.

Ata bënë të ditur se pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Rusisë janë duke vazhduar kontaktet me të gjitha palët e përfshira deri në gjetjen e mundësive për zbatimin e marrëveshjes.

Edhe pse kundërshtoi ekzistimin e një krize humanitare në veri të Kosovë, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijançiq, theksoi për Radion Evropa e Lirë rëndësinë e arritjes sa më parë të ndihmave në cakun e paraparë.

Ajo tha se konvoji duhet të ketë përcjelljen e duhur, për të cilën, sipas saj, është i mandatuar misioni evropian në Kosovë.

Policia e EULEX-it bën rojë afër kamionëve me ndihma nga Rusia
Policia e EULEX-it bën rojë afër kamionëve me ndihma nga Rusia
Ne besojmë se konvoji i një madhësie të tillë, nëse nuk gabohem, janë 27 kamionë, duhet të ketë një përcjellje të duhur si në çdo rast në Evropë në përputhje me standardet e zbatueshme-qëndrim ky, të cilin e ndajmë me Federatën ruse”, tha ajo.

Deri më tani, Moska zyrtare ka kundërshtuar të respektojë përcjelljen e konvojëve nga policia e EULEX-it. Ata kanë kundërshtuar gjithashtu kalimin e ndihmave përmes pikës kufitare në Merdarë duke thënë se nuk do të respektojnë procedurat shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ndihma humanitare e Rusisë thuhet se vjen si reagim ndaj kërkesës së mëparshme të serbëve të veriut për shtetësi ruse-kërkesë kjo, e cila ishte hedhur poshtë nga shteti rus.

Mësohet se kamionët nga Rusia po bartin ushqim, veshmbathje dhe gjeneratorë dedikuar serbëve të Kosovës.

Për mënyrën e shpërndarjes së këtyre ndihmave folën të mërkurën mbrëma edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton.

Jahjaga tha se ndihmat humanitare që vijnë në Kosovë duhet t’i ndjekin rregullat e njohura ndërkombëtare dhe procedurat që rregullojnë shpërndarjen e ndihmave.

Ne do të respektojmë të gjitha konventat ndërkombëtare, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e administratës në këtë proces.
Ka rregulla dhe norma që duhet të respektohen. Janë edhe konventat ndërkombëtare dhe ligjet e Kosovës për çështjet e shpërndarjes së ndihmave humanitare. Ne do të respektojmë të gjitha konventat ndërkombëtare, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e administratës në këtë proces”, tha presidentja Jahjaga gjatë vizitës së saj në Uashington.

Ndërsa, Klinton tha se është verifikuar me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe me të tjerët se nuk ka asnjë krizë humanitare ose nevojë për ndihma humanitare.

Ne e kemi verifikuar me OKB-në dhe me të tjerët. Ata nuk kanë raportuar për asnjë krizë humanitare ose nevojë.
Ne e kemi verifikuar me OKB-në dhe me të tjerët. Ata nuk kanë raportuar për asnjë krizë humanitare ose nevojë. Do të bënim thirrje që qytetarët e Kosovës, në veçanti në veri, të punojnë së bashku. Sipas Kushtetutës së Kosovës ata i kanë të drejtat e barabarta dhe të drejtat qytetare”, theksoi Klinton.

Mirëpo, edhe në ditën e tretë, gjendja në terren mbetet e njëjtë. Në pikën kufitare një në Jarinjë qëndruan edhe gjatë natës tre kamionë. Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se as të enjten nuk ka pasur ndonjë lëvizje të re në terren.

Çfarëdo marrëveshjeje që mund të bëhet, me gjasë, do të mund ta ndryshojë këtë status. Mirëpo, arsyeja kryesore përse ata kamionë janë ndalur në atë pikë, është pikërisht mosrespektimi i procedurave doganore të Republikës së Kosovës. Nëse arrihet një marrëveshje e çfarëdo lloji, besoj se do të kemi ndryshim edhe në terren”, u shpreh Hoti.

Jozyrtarisht mësohet se është arritur marrëveshja edhe për zbatimin e marrëveshjes Bruksel - Moskë.

Sipas planit, megjithatë të pakonfirmuar, thuhet se konvoji do të përcillet nga pesë vetura të EULEX-it.

Se a do të zbatohet kjo siç është pajtuar mbetet të shihet në orët apo ditët në vijim.
XS
SM
MD
LG