Ndërlidhjet

Edhe këtë vit pa rezerva shtetërore


Ilustrim
Ilustrim
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila ishte ajo, e cila kishte premtuar se rezervat e para shtetërore do të krijoheshin gjatë këtij viti. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ajo kishte thënë se autoritetet janë në fazën finale të krijimit të rezervave shtetërore.

“Brenda këtij viti Kosova do t’i ketë rezervat e para shtetërore”, kishte thënë Mimoza Kusari - Lila.

Tani, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) thonë se nuk mund t'i krijojnë rezervat e para shtetërore gjatë këtij viti.

Këshilltarja për media në këtë ministri, Arta Istrefi, thotë se për shkak të problemeve financiare dhe mungesës së depove për të mbledhur produktet, gjatë këtij viti Kosova nuk do të mund t’i ketë rezervat e para shtetërore.

“Rezervat shtetërore nuk mund të bëhen në këtë vit, për shkak se është një fushë shumë e re që është zhvilluar në Kosovë. Ligji për rezervat shtetërore është bërë në vitin 2010; në fund të tetorit është miratuar dhe më pastaj është themeluar Departamenti për rezerva shtetërore - strategjia. Të gjitha këto gjëra kanë qenë si pjesë e procesit për krijimin e rezervave të para shtetërore”, thotë Istrefi.

Rezervat shtetërore të mallrave, sipas Ligjit për rezerva në Kosovë, krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjen e vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake në gjendje lufte - të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, si dhe për shëndetin e popullatës.

Këshilltarja për media në MTI, Arta Istrefi, thotë se rezervat e para shtetërore nuk do të mund të krijohen deri në mesin e vitit 2012.

Derisa vlera e rezervave shtetërore në vendet e ndryshme të rajonit dhe botës është rreth 36 milionë euro, atëherë ne e dimë që buxheti ynë është shumë i vogël. Besojmë që deri në mesin e vitit të ardhshëm të alokojmë mjete, ku produktet e para të jenë gruri, kripa dhe nafta, të cilat janë miratuar nga takimet e grupeve punuese që janë duke u mbajtur”, thekson Istrefi.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike thonë se çështja e krijimit të rezervave shtetërore është mjaft e rëndësishme. Ata thonë se kjo do ta ndihmonte vendin në rast të ndonjë krize.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se moskrijimi i rezervave të para shtetërore vjen si pasojë e mosmenaxhimit të duhur të këtyre çështjeve.

“Do të doja të besoja në deklaratën e Ministrisë se nuk ka mjete buxhetore për ndërtimin e magazinave ku do të mbaheshin rezervat shtetërore. Gjithsesi kjo vjen si pasojë e planifikimit jo të mirë buxhetor ose ndoshta ndarjes jo të mirëfilltë të prioriteteve për caktimin e projekteve për investime kapitale”, vlerëson Zeka.

...krijimi i vendeve ku do të mbaheshin rezervat shtetërore do të ndihmonte shumë.
Një shtet i pavarur, sipas Arian Zekës, nuk guxon të jetë pa rezerva shtetërore. Ai thotë se Qeveria e Kosovë duhet t’i grumbullojë produktet esenciale, në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo ndonjë gjendjeje tjetër.

“Gjithsesi, një vend që krijon politika afatgjate, duhet të përgatitet për kriza të ndryshme, apo ndonjë bojkot. Prandaj, në këtë kuptim, krijimi i vendeve ku do të mbaheshin rezervat shtetërore do të ndihmonte shumë”, shprehet Zeka.

Lista esenciale e rezervave shtetërore, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, do të fillohet me grurin, pastaj me produktet esenciale ushqimore, me produktet për raste emergjente, siç janë produktet për shëndetësi, sanitari, por edhe produkte të tjera që nevojiten në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo të rasteve tjera.
XS
SM
MD
LG