Ndërlidhjet

Merkel kërkon përkushtim


Angela Merkel dhe Hashim Thaçi
Angela Merkel dhe Hashim Thaçi
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i kërkoi Prishtinës zyrtare që të japë kontributin e saj për të normalizuar raportet me Serbinë.

Ajo tha se ka ende shumë punë për të bërë në ndërtimin e shtetit ligjor, por edhe në raport me shtetin serb.

Merkel bëri të ditur se në kontaktet direkte Berlin-Beograd, palës serbe i është bërë tashmë e qartë se duhet të gjejë modalitetet për të mundësuar bashkëpunimin me Kosovën në fushën e tregtisë së lirë, në aspektin kufitar dhe në zhbërjen e strukturave të saja paralele në vend.

Angela Merkel
Angela Merkel
Ne bisedat tona direkte me Serbinë e kemi bërë të qartë se çfarë duam ne. Pra, ka nevojë për të mundësuar tregtinë e lirë-gjë që aktualisht nuk mund të bëhet për shkak të barrikadave, që të zbatohet marrëveshja për kontrollin e përbashkët të kufirit dhe hap pas hapi duhet të arrijmë në zhbërjen e strukturave paralele”, tha ajo për të shtuar rëndësinë që pala kosovare të mënjanojë emocionet për të për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin ndërmjet të dyja vendeve.

Komenti i saj pason takimin që diplomatja gjermane zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky i fundit tha se Kosova do t’i përmbushë të gjitha detyrimet që vendi ka para vetës kur bëhet fjalë për integrimin evropian. Ai theksoi përkushtimin e Kosovës për “përmbylljen e kapitullit të historisë së konflikteve dhe të hapë kapitullin e bashkëpunimit”.

Kosova do të jetë e përkushtuar në dialogun me të gjithë fqinjët. Ne kemi ndërtuar raporte të shkëlqyera me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe me të gjitha vendet e rajonit. Andaj duam të kemi bashkëpunim të mirë midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Dialogu nuk është vetëm njëri nga opsionet por është opsioni i vetëm-komunikimi dhe zgjidhja e vetme për çështjet që duhet të zgjidhen në raportet ndërshtetërore Kosovë- Serbi”, u shpreh ai.

Kreu i ekzekutivit kosovar theksoi, megjithatë, rëndësinë që shteti serb të zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të dialogut me Prishtinën.

Ky dialog merr vlerën e vërtetë vetëm atëherë kur të implementohen në tërësi marrëveshjet e arritura dhe shpresojmë që edhe Serbia të fillojë të reflektojë në këtë drejtim”, tha Thaçi.

Kërkesës së kancelares gjermane për thellimin dhe zbatimin në terren të bashkëpunimit me misionet ndërkombëtare-me theks të veçantë te EULEX-i, kryeministri Thaçi iu përgjigj me zotimin për vazhdimin e “qeverisjes së mirë dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar”.

Derisa Merkel falënderoi trupat gjermane të KFOR-it për kontributin e tyre në Kosovë dhe u siguroi mbështetjen e plotë të shtetit gjerman, Thaçi shprehu keqardhje për incidentet e fundit atje që në muajin nëntor çuan në lëndimin e mbi 20 ushtarëve të KFOR-it.

Kryeministri tha se Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë me të gjitha qytetarët e vendit për “ndërtimin e një Kosove multi-etnike, demokratike dhe evropiane”, ndërsa shprehu përkushtimin për të vepruar edhe në përputhje me interesat e qytetarëve në veri të Mitrovicës.

Ne duam të ofrojmë të gjitha mundësitë më afirmative për qytetarët ë veri. Ata janë qytetarët e vendit tonë dhe unë kam për nder, por edhe obligim kushtetues dhe ligjor të jem në mesin e tyre dhe t’u shërbejë të gjithëve. Në veri nuk është në konflikt qeveria me qytetarin, por ligji me anarkinë”, tha ai.

Mesazhe më të ashpra Merkel u kishte përçuar autoriteteve serbe gjatë vizitës së saj në Beograd në fund të muajit gusht.

Qëndrimi i saj duket se u bë më rigoroz pas incidenteve të nëntorit në veri të Kosovës, të cilat rezultuan me lëndimin e mbi 20 ushtarëve gjermanë-veprim, të cilin diplomatja gjermane e pat quajtur të papranueshëm.

E papranueshme, sipas saj, është dhe hyrja e Serbisë në Bashkimin Evropian pa normalizimin e raporteve me Kosovën.

Në një fjalim të mbajtur para Bundestagut gjerman në fillim të këtij muaji, Merkel tha se Serbia nuk ka përmbushur pritjet e Brukselit zyrtar dhe të partnerëve të tij.
XS
SM
MD
LG