Ndërlidhjet

Çekia në zi




Mijëra njerëz u mblodhën të mërkurën nëpër rrugët e Pragës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-presidentit të vendit, Vaclav Havel.

Parada e funeralit për dramaturgun e njohur, përderisa lëvizte nga kisha në drejtim të Kështjellës së Pragës, shoqërohej nga e veja e tij, Dagmar dhe familjarë e miq të afërt të Havelit.


Pamjet televizive tregonin veturën që bartte arkivolin, të dekoruar me lule, përderisa kalonte urën historike të Çarllit në Pragë.

Pas arritjes në Kështjellë, arkivoli u bart nga karroca me kuaj, e cila ishte përdorur në vitin 1937 në funeralin e presidentit të parë çekosllovak, Tomas Masarik, përgjatë sheshit të Kështjellës, përballë ndërtesave ku valëvitnin flamujt e zinj.


Garda prej rreth 200 ushtarëve shoqëronte arkivolin me një ritëm të ngadaltë. Gjatë rrugës, qytetarët bartnin me vete slogane me mbishkrimet: "Të faleminderit Vaclav!”.

Pas intonimit të himnit kombëtar të Republikës Çeke, ‘Ku është shtëpia ime’, presidenti i Çekisë, Vaslav Klaus, foli në ceremoninë përkujtimore, me rastin e fillimit të periudhës tre ditore të zisë zyrtare për ish-presidentin e ndjerë, Vaclav Havel.

“Jemi mbledhur në hollin Vlladisllav të Kështjellës së Pragës, ku 22 vjet më parë, Vaclav Haveli, u zgjodh për herë të parë dhe u inaugurua si president. Nuk ka vend më të përshtatshëm në shtetin tonë, për t’u mbledhur së bashku e për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit”, tha Klaus.


Presidenti Klaus theksoi e qytetarët çekë duhet ta vazhdojnë luftën për liri dhe demokraci, që e kishte filluar paraardhësi i tyre.

“Kauza e tij, idetë e tij, trashëgimia e tij dhe shembulli i tij do të mbesin gjithmonë me ne. Dhe, varet prej nesh nëse duam të kërkojmë këshilla dhe inspirim nga shembulli i tij, si dhe ta zbatojmë për veten tonë, për vendin tonë dhe të ardhmen e tij”, theksoi Klaus.

Në Kështjellën e Pragës, trupi i Havelit do të qëndrojë deri të premten, ditën kur edhe mbahet funerali shtetëror.


Mijëra njerëz kanë pritur me orë të tëra për të shfaqur respektin para arkivolit të Havelit, ndërsa ai qëndroi në një kishë të dikurshme të Pragës, që nga dita e hënë.

Liderë botërore kanë shfaqur respekt për Havelin, shumë nga të cilët e kanë quajtur figurë kryesore historike të shekullit XX.

Haveli do të varroset në një funeral shtetëror në Pragë të premten, ku pritet të marrin pjesë shumë liderë botërorë, në mesin e të cilëve edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.(v.k.)




Çekia mban zi për Havelin
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00
XS
SM
MD
LG