Ndërlidhjet

Pritjet e qytetarëve...


Prishtinë
Prishtinë

Ekzistojnë mjaft probleme, qofshin ato ekonomike, shoqërore dhe politike, me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare dhe që kërkojnë zgjidhje, vlerësojnë disa qytetarë të Kosovës.

Ata thonë se pritjet e tyre janë që në vitin 2012 disa prej këtyre problemeve të zgjidhen, ndonëse, lidhur me këtë, një numër i qytetarëve nuk e fshehin mosbesimin dhe skepticizmin.

Luan Sopi pret që viti 2012 të jetë më i suksesshëm sesa viti 2011:

“Kur them ‘i suksesshëm’, bazohem në raportin e rritjes së zhvillimit ekonomik. Do të thotë, një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Natyrisht, presim edhe zbatimin e plot ligjeve të reja, në raport me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Por, njëherësh edhe mundësinë e liberalizimit të vizave”.

Adem Ademi thotë se shumica e kosovarëve i kanë pritjet e përafërta për vitin 2012:

“Dihet se Kosova po kalon nëpër një tranzicion, ta quaj ashtu, të zgjatur. Është prezent një papunësi e madhe e rinisë dhe është shumë normale që të pritet që viti i ardhshëm ta zbusë në njëfarë mase çështjen e punësimit të të rinjve. Politikanët, deklarativisht thonë se ia kanë bërë hyzmetin, por rezultatet shihen pak. Politikanët le ta kryejnë punën e tyre, por në mënyrën më të mirë të mundshme, le të vihen në shërbim të votuesve, gjegjësisht popullit, nga i cili i kanë marrë votat”.

Nexharie Buçinca pret që gjatë vitit 2012 Kosova t’i eliminojë dukuritë negative dhe të forcohet si shtet.

“Presim largimin e korrupsionit, fillimisht; Një shtet të fortë, të fuqishëm, i cili e ka bazë drejtësinë; një shtet demokratik, me demokraci të mirëfilltë; një shtet pa dorëza dhe pa maska”, shprehet Nexharie Buçinca.

Por, Sami Zhieqi thotë se nuk pret ndryshime pozitive në jetën e qytetarëve gjatë vitit 2012:

“Do të jetë shumë më vështirë se në vitin 2011, në çdo aspekt. Rrethanat globale, ekonomikisht janë duke rënë. Fatkeqësisht, jemi shtet i vogël, i formuar i ri, udhëheqje është e dobët. Definitivisht po shkojmë në rënie e sipër. Shumë pesimist jam. Nuk pres asgjë më mirë”.

Ndërkaq, Ahmet Zogiani thotë se pritjet e tij janë që në vitin e 2012 të ketë ndryshime në skenën politike kosovare:

“Së pari, pritjet e mia janë - dhe dëshiroj - që të bëhen zgjedhjet e parakohshme, të zgjidhen njerëzit adekuat që i kërkon Kosova. Momentalisht, me këta njerëz unë nuk jam optimist. Besoj se duhet të vijnë njerëz të kualifikuar, që dinë të punojnë, ta zhvillojnë ekonominë, ta zvogëlojnë varfërinë, sepse varfëria është jashtëzakonisht e madhe. Papunësia është e madhe. Më keq më s’ka ku bëhet”.

Besnik Dibrani, pret që gjatë vitit 2012 të bëhen përmirësime në fushën e arsimit në Kosovë si dhe të hapet një perspektivë më optimiste për të rinjtë:

“Pasi që jam student, më së shumti kam dëshirë që të ketë përmirësime në arsim. Të përmirësohen kushtet që studentët, pasi që t’i përfundojnë studimet, ta kenë një vend të sigurt, që ta gjejnë veten, që ta kenë një të ardhme më të sigurt, e jo ta kryejnë fakultetin e të mbesin rrugëve, duke mos e ditur se nga t’ia mbajnë”.

Ndërsa, Dashurie Kryeziu thekson:

Së pari, gjithë popullit tim i dëshiroj shëndet! Pastaj, dashtë Zoti që të hapen vende të reja, më shumë, të punës, që kjo rini të mos bredhë rrugëve, të mos rrijë nëpër kafene, por të punësohet dhe të kontribuojë për familjen e vet dhe ta ndërtojë të ardhmen. Po presim që, e dashtë Zoti, e t’ua dërgojë mendjen e mirë dhe na pranojnë në BE dhe të bëhet liberalizimi... të dalim pak... Më së shumti këtë e presim për këtë vit”.

Në anën tjetër, qytetarët serbë të Kosovës, presin që gjatë vitit 2012 të zgjidhen mjaft çështje, të cilat po ua rëndojnë jetesën në hapësirat ku jetojnë.

Nikola Dimiq, i cili jeton në Graçanicë, thotë se është mjaft skeptik se gjërat mund të ndryshojnë për të mirë, sidomos lidhur me punësimin e të rinjve.

“Nuk pres asgjë. Çfarë të pres? Jetoj në Kosovë, në Graçanicë, 7 kilometra larg Prishtinës, por na mungon gjithçka. Nuk ka punë e as punësim. Kemi pasur mjaft premtime, por deri më tash asgjë. Se a do të ndryshojë kjo situatë, vetëm Zoti e di”, thotë Dimiq.

Milica Petroviq, nga veriu i Mitrovicës, thotë se pret që gjatë vitit 2012, njerëzit t’i kushtojnë më shumë vëmendje problemeve personale se sa atyre politike.

“Pres që fillimisht të kem shëndet. Për të tjerat nuk ka rëndësi. Ndoshta do të duhej që së pari të kujdesemi për veten dhe jetën tonë, e pastaj të mendojmë për qëllime më të larta dhe zgjidhjen e situatës politike. Për situatën politike mendoj se kur njerëzit ulen për të biseduar, atëherë marrëveshja është e mundur. Por, nëse ulen të bisedojnë grupe të vetjakëve, të cilët mendojnë vetëm për veten, atëherë nga marrëveshjet e tilla nuk del asgjë e mirë”, shprehet Petroviq.

Vlladimir Saviq, po ashtu nga veriu i Mitrovicës, pret që gjatë vitit 2012 qytetarët të mos kenë arsye të jenë të ngarkuar me problemet, të cilat, sipas tij, i krijon politika:

“Para së gjithash, pres që kjo situatë politike të qetësohet dhe të gjithë ne të fillojmë të jetojmë normalisht, ashtu siç jetojnë të gjithë njerëzit normal për rreth nesh. Pres dhe dëshiroj që gjithçka të jetë mirë dhe të ketë sa më shumë shëndet, fat dhe dashuri për të gjithë ne në vitin 2012”, thekson Saviq.
XS
SM
MD
LG