Ndërlidhjet

Letrat me vlerë, në janar


Ilustrim
Ilustrim
Janë bërë të gjithë përgatitjet legjislative dhe teknike për emetimin e letrave me vlerë, dhe kjo do të fillojë gjatë këtij muaji, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Financave.

Sa i përket çështjes së emetimit të letrave me vlerë, është thënë se do të fillojë në janar dhe ashtu do të bëhet. Janë bërë të gjitha përgatitjet në këtë drejtim, qofshin në aspektin legjislativ, apo në aspektin teknik, përkatësisht softuerik, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore e të tjera”, thotë këshilltari politik i ministrit të Financave, Mendëres Ibra.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar ishte nënshkruar edhe rregullorja për tregun primar dhe sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë në mes Ministrisë së Financave dhe Bankës Qendrore të Kosovës.

Përveç tjerash, thuhet se është përpiluar edhe kalendari i parashikuar i letrave me vlerë për vitin 2012 si dhe është krijuar qasja direkt e zyrtarëve nga Departamenti i Thesarit në platformën e letrave me vlerë, ku do të bëhet aprovimi i ashtuquajtur dynivelor i rezultateve të ankandeve.

Njohës të çështjeve ekonomike e konsiderojnë emetimin e letrave me vlerë si një vendim të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, mirëpo, disa prej tyre vlerësojnë se qëllimi konkret i këtyre letrave me vlerë është i diskutueshëm.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, njëherazi ish ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se vendimi për emetimin e letrave me vlerë është bërë pa përgatitje adekuate.

Çdo vend dihet se këtë mekanizëm e shfrytëzon për qëllime më të mira dhe kur ka nevojë, dhe po ashtu shfrytëzohet pozitivisht për efektet ekonomike. Te ne vlerësohet se është bërë pa përgatitje adekuate dhe për qëllime tepër emergjente, që do të thotë, se nuk i përgjigjet nevojave të ekonomisë së tregut, por për nevoja të domosdoshmërisë që e nënvlerëson vlerën e këtyre aksioneve”, thekson Shatri.

Shatri shpreh skepticizëm për vlerën në treg të këtyre letrave me vlerë.

Ai thekson se Qeveria, si pronare e parasë publike dhe e këtyre aksioneve, nuk dihet se sa do të përfitojë.

Sidoqoftë, ai thekson se mjetet e letrave me vlerë duhet të investohen në projekte kapitale të cilat nuk janë aspak të diskutueshme dhe janë të pranueshme për opinion dhe për tregun.

Ato projekte që realizohen me këto letra me vlerë, me këtë variant të financimit të gjejnë blerësin e mire dhe vlera e këtyre aksioneve të mos devalvohet ose të vihet në pikëpyetje, por t’i rritet vlera dhe të kemi kërkesë. Në rastin tonë po bëhet pa projekte kapitale, pa një orientim të mirë, pa një vlerësim të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve tjera financiare, kush do t’i blejë këto, dhe sa do të vlejnë ato”, thekson Shatri.
Të gjitha këto të hyra nga letrat me vlerë do të jenë të hyra që vijnë në buxhetin e shtetit...

Fillimisht është bërë e ditur se do të emetohen letra me vlerë 74 milionë euro.

Të gjitha këto të hyra nga letrat me vlerë do të jenë të hyra që vijnë në buxhetin e shtetit, përkatësisht në llogarinë e thesarit të Ministrisë së Financave, dhe prej aty do të përdoren si të gjitha të hyrat e tjera konform planifikimit në ligjin e buxhetit”, shprehet Mendëres Ibra.

Ndryshe bankat komerciale në Kosovë tashmë kanë shprehur interesim për të investuar në letrat me vlerë.
XS
SM
MD
LG