Ndërlidhjet

Identifikohen ushtarët


Pamje nga videoja që paraqet ushtarët amerikanë duke urinuar mbi trupat e pajetë të luftëtarëve talibanë.
Pamje nga videoja që paraqet ushtarët amerikanë duke urinuar mbi trupat e pajetë të luftëtarëve talibanë.
Raportohet se janë identifikuar dy nga katër ushtarët amerikanë, të shfaqur në videon që i tregonte ata duke urinuar mbi trupat e vdekur të talibanëve.

Sipas këtyre raporteve, njësia e përfshirë në incident ndodhet në kampin Lejun, në Karolinën e Veriut, që është një bazë e rëndësishme ushtarake amerikane.

Sipas raporteve të CNN-it, njësia ishte pozicionuar në Afganistan në fillim të vitit 2011 dhe ishte kthyer në vend në shtator ose tetor.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Leon Paneta tha se ai ka urdhëruar nisjen e një hetimi dhe ka premtuar se ushtarët që ishin pjesë e incidentit do të mbajnë përgjegjësi të plotë.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton gjithashtu ka shprehur keqardhje të madhe për këtë video.

Nga ana tjetër, zyra e presidentin afgan, Hamid Karzai tha se qeveria afgane ishte shumë e shqetësuar nga përmbajtja e videos.


Hetime për videon


Trupat e Marinës Amerikane thanë se janë duke hetuar rastin e videos, që paraqet disa ushtarë amerikanë duke urinuar mbi trupat e pajetë të luftëtarëve talibanë.

Përmes një deklarate, trupat e marinës thanë se ende nuk është verifikuar origjina dhe vërtetësia e kësaj videoje, duke shtuar se veprimet e portretizuara në të nuk janë në përputhje me vlerat e marinës amerikane.

Zëdhënësi i Pentagonit, Xhon Kirbi, e ka cilësuar videon si mjaft shqetësuese, duke thënë se kushdo që është dhe pavarësisht rrethanave - që ne e dimë se janë nën hetime - kjo është një sjellje skandaloze dhe e papranueshme për një anëtar të ushtrisë.
Trupat e marinës thanë se ende nuk është verifikuar origjina dhe vërtetësia e videos...
Trupat e marinës thanë se ende nuk është verifikuar origjina dhe vërtetësia e videos...

Videoja tregon katër burra të veshur me uniformën dhe helmetat e ushtrisë amerikane. Ata flasin me theks amerikan, qeshin përderisa urinojnë në trupat e tre njerëzve të vdekur, të shtrirë në tokë pranë një muri prej balte.

Njëri prej tyre qesh dhe thotë: “Në zemër”, përderisa urinon në kraharorin e njërit prej personave të pajetë. Ndërsa, tjetri shton me sarkazëm: “Paç një ditë të mirë, shoku”.

Identiteti i personit të shfaqur në video, e cila është postuar në faqen e internetit “You Tube” dhe në faqe të tjera, nuk është ende i qartë.

Por, kameramani flet me një theks amerikan dhe ka të veshur një dorezë ushtarake, sikurse edhe disa të tjerë.

Kjo video vjen në një kohë të ndjeshme, me Uashingtonin që po provon të promovojë pajtimin afgan, pasi trupat amerikane gradualisht do të fillojnë të tërhiqen nga vendi.

Talibanët më herët këtë muaj u pajtuan që të hapnin një zyrë politike në Katar, për negociata me komunitetin ndërkombëtar, por gjithashtu kërkuan lirimin e të burgosurve të tyre nga burgu i Guantanamos, si një formë e shkëmbimit të të burgosurve.

Zëdhënësi i talibanëve afganë, Zabidullah Muxhahid tw enjten denoncoi pamjet e përdhosjes së trupave, duke e quajtur një akt barbar. Por, agjencia e lajmeve, Reuters e citon Muxhahidin të ketë thënë se “video nuk do t’i dëmtojë bisedimet dhe shkëmbimin e të burgosurve”, sepse procesi politik është në fazat paraprake. Ai tha se luftëtarët talibanë, megjithatë, do të vazhdojnë luftën e tyre të armatosur.

Pamjet e lëshuara në internet kanë zemëruar shumë afganë, pavarësisht pikëpamjeve të tyre për talibanët. Amanullah, një banor i Kandaharit, tha se kjo gjë dëmton perspektivat për bisedime paqësore:

“Ne e dënojmë këtë akt të ushtarëve amerikanë, të cilët kanë urinuar në trupat e vdekur të ushtarëve talibanë. Kjo do t’i dëmtojë bisedimet paqësore. Duket se Shtetet e Bashkuara nuk duan që të ketë bisedime paqësore në Afganistan dhe ky veprim e rritë mjerimin në vend”, tha Amanullah.

Ndërsa Feda Mohamad, një banor i Kabulit, tha se ndjenjat anti-amerikane në Afganistan janë përkeqësuar:

“Ushtarët amerikanë, të cilët urinuan në trupat e pajetë të myslimanëve kanë kryer një krim. Përderisa kanë kryer një krim të tillë, ne nuk i duam më ata në tokën tonë. Ne nuk i duam ushtarët e huaj që të jenë në tokën tonë. Ne duam që ata të largohen”.

Ndërsa një banor tjetër i Kandaharit, Tavab Kan tha se autorët duhet të identifikohen dhe të vihet para gjyqit:

“Të gjithë myslimanët e dënojnë këtë akt të ushtarëve të huaj, të cilët kanë urinuar në trupat e vdekur të ushtarëve talibanë. Është kundër islamit dhe kundër rolit të komunitetit ndërkombëtar. Ne duam që komisioni për të drejta të njeriut të dënojë këtë akt brutal dhe t’i arrestojë kriminelët e këtij incidenti”, u shpreh Kan.

Ndërkaq, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, e ka përshkruar si “krejtësisht për keqardhje” sjelljen e paraqitur në një video, ku duket se janë ushtarët amerikanë, që urinojnë në kufomat e luftëtarëve talibanë në Afganistan.

Në kumtesën e tij, zoti Paneta tha se ka urdhëruar hetime lidhur me këtë video dhe ka premtuar se ushtarët që kanë marrë pjesë në incident, do të mbahen përgjegjës “në masë të plotë”.

Zyra e presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, ka kumtuar se qeveria afgane është “thellësisht e shqetësuar” nga kjo video.(v.k.)
XS
SM
MD
LG