Ndërlidhjet

Të ndarë për bllokadën


Ilustrim
Ilustrim

Paralajmërimet e Lëvizjes Vetëvendosje për mbajtjen e një proteste më 14 janar në vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdarë, në kufi me Serbinë, dhe në anën tjetër reagimet e Qeverisë së Kosovës të cilat e kanë kundërshtuar protestën, po e ndërlikojnë situatën vlerësojnë disa qytetarë të Prishtinës.

Protesta e paralajmëruar, sipas Lëvizjes Vetëvendosje ka për qëllim zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë.

Përderisa një numër i tyre e përkrahin nismën e Lëvizjes Vetëvendosje, disa të tjerë e kundërshtojnë, por ka edhe të tillë që kanë dilema nëse kjo protestë duhet përkrahur.

Ramadan Zenelaj thotë se kjo situatë mund të sjellë rreziqe të mëdha...

Situata është shumë ndërlikuar. Por, Vetëvendosja ka të drejtë, pasi që Kuvendi ka vendosur mocionin. Ka të drejtë, por janë gjërat asi soji që rreziqet janë të mëdha. Qeveria e ka bërë një gabim. Vetëvendosja, në këtë mënyrë nuk është dashur, por në mënyrë më të qetë apo Kuvendi të merr qëndrimin tjetër. Por, mocioni, që e kanë votuar ata vet, duhet t’i përmbahen dhe kjo është e gjitha”.

Semine Lusnjani thotë se e përkrahë nismën e Lëvizjes Vetëvendosje për organizimin e protestës.

E përkrah, sepse edhe unë jam për atë që produktet serbe të mos hyjnë në Kosovë”.

Edhe Fehmi Dibrani thotë se e përkrahë nismën e Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak se, siç thotë ai, mocioni për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë është votuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

Kjo është brenda Kushtetutës së Kosovës, përderisa është votuar mocioni në Kuvendin e Kosovës. E përkrahim sa i përket çështjes kombëtare. Institucionet, të cilat nuk e përkrahin, ndoshta i kanë interesat e veta”.

Por, Abdyl Jashari mendon ndryshe. Sipas tij, nuk është momenti i qëlluar për një protestë të tillë siç e ka paralajmëruar Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas mendimit tim, nuk është koha të bëhet kështu, sepse janë problemet tjera. Në bazë të asaj që e shikojnë ata (Lëvizja Vetëvendosje), mund të ndikojë negativisht edhe në pranimin tonë në BE”.

Zymber Kelmendi vlerëson se Qeveria e Kosovës ka të drejtë që e kundërshton protestën e paralajmëruar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ka të drejtë qeveria, pasi që edhe mendimi i bashkësisë ndërkombëtare, në këtë rast, është që të mos ketë trazira. Kam dilemat e mia, në këtë rast, nëse duhet të ketë trazira, pikërisht tani, kur më 19 janar do të mbahet takimi i parë për heqjen e regjimit të vizave e shumë procese tjera. Kështu që, po mendoj se kjo do të jetë vetëm e dëmshme, sepse unë mendoj që, ndoshta, në këtë rast, Vetëvendosja po i shfrytëzon pakënaqësitë e tjera, të cilat në kufi mund të shpërthejnë në gjëra krejt të tjera dhe nuk e di nëse do të mund të kontrollohen pastaj”.

Por, kundërshtimet e Qeverisë së Kosovës ndaj nismës së Lëvizjes Vetëvendosje, Blerta Dërvisholli nuk i sheh të arsyeshme.

Nuk e shoh të arsyeshme. Pse? Sepse ata (autoritetet serbe) nuk i lejojnë produktet tona në kufi. E pse ne t’i lejojmë mallrat e tyre? Unë e përkrah Vetëvendosjen”.

Ngjashëm mendon edhe Leonard Krasniqi.

Aksioni i Vetëvendosjes mendoj se është me vend, për masat e reciprocitetit, për ta përkrahur ekonominë e Kosovës dhe prodhimet vendore. Do ta përkrahim. Por, paralajmërimet e qeverisë janë vetëm masa kërcënuese që të mos mblidhen njerëzit, t’i frikojnë njerëzit. Protesta ka për të qenë e qetë dhe çdo gjë do të shkojë në rregull. Por, vetëm të mos bëhen shumë njerëz, Qeveria jep kërcënime”.

Ndërkaq, Visar Dina, thotë se shpreson që e gjithë kjo situatë do të përfundojë në mënyrë të qetë.

Besoj se ndoshta do të jetë një situatë e qetë, pasi që edhe Vetëvendosja ka bërë thirrje për protesta të qeta. Duhet t’i përkrahë populli këto. Duhet t’i tregohet për masat e reciprocitetit midis dy shteteve. Duhet të respektohen nga të dy shtetet. Por, institucionet e Kosovës gjithmonë kanë bërë thirrje që të shkohet në parime të Kushtetutës, në bazë të ligjit, do të thotë, të mos ketë kundërshtime të ligjit. Në qoftë se respektohet ligji nga të dyja anët, nuk besoj se do të ketë ndonjë problem”.
XS
SM
MD
LG