Ndërlidhjet

Kush e vrau shkencëtarin bërthamor të Iranit?


Vrasja e shkencëtarit bërthamor iranian, Mostafa Ahmadi Roshan dukej tmerrësisht e lehtë.

Dy burra në një motoçikletë vendosën një bombë magnetike në veturën e Roshanit, e cila eksplodoi përderisa ata po largoheshin me shpejtësi. Roshan, bashkë me vozitësin e tij, mbetën të vrarë.

Por në fakt, sa e vështirë është të ndërmarrësh një operacion të tillë?

Nga pikëpamja e gjetjes së cakut, mendoj se do të ketë qenë një gjë relativisht e lehtë. Ne e dimë që shumica e shërbimeve të inteligjencës perëndimore dhe shumë arabë, madje edhe shërbimet izraelite të inteligjencës kanë një rrjet të agjentëve brenda programit bërthamor të Iranit. Ata kanë pasur kohë një dekadë për t’i forcuar këto misione, shumica prej të cilave janë kultivuar jashtë Iranit, kështu që nuk është shumë e vështirë që të gjendet emri i një 32 vjeçari, zëvendës kryetar i prokurimit në një lokacion si Natanz. Kjo nuk është pjesa e vështirë”, thotë Joshi.

Mostafa Ahmadi Roshan
Mostafa Ahmadi Roshan
Ai shton se kompleksiteti i këtij operacioni shtrihet në zbatimin e tij. Për dallim nga shumë vrasje, thotë Joshi, ku kërkohet një veturë me bombë, në këtë rast caku ishte gjetur me shumë kujdes, gjithçka ishte llogaritur me kohë dhe sigurisht që vrasësit u larguan, siç kishin bërë në të kaluarën në çdo vrasje të ngjashme me këtë të shkencëtarit bërthamor.

Ne nuk dimë shumë rreth eksplozivit që është përdorur. Ne nuk e dimë nëse ka akuza të veçanta apo se çfarë ishte përmbajtja e eksplozivit. Ne nuk dimë asnjë prej atyre hollësive dhe vështirë se autoritetet iraniane do të lëshojnë informacione të tilla. Por një vecanti e gjithë kësaj është se gjithçka mund të jetë organizuar në trafik të dendur, nga një vrasës në motoçikletë që thjeshtë qëndron afër makinës dhe pastaj largohet shpejtë, pa ndonjë rrezik të madh që bomba do të vrasë një numër të madh të civilëve e këmbësorëve”, ka thënë Joshi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Vrasja e shkencëtarit iranian ka ngjallur polemika rreth asaj se kush mund të ketë qenë vrasësi i tij, apo cila organizatë fshehet prapa këtij akti.

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Kamanei tha se CIA dhe Mosadi qëndrojnë prapa vrasjes së para disa ditëve të shkencëtarit bërthamor në Teheran.

Në mesazhin e ngushëllimit për familjen e viktimës, Kamenei tha se vrasja ishte kryer sikurse edhe vrasjet e tjera, me plan apo me mbështetje të shërbimeve të inteligjencës të CIA-s apo Mosadit.

Kjo akuzë e tij drejt shërbimeve të spiunazhit të SHBA-së dhe Izraelit ishte më e forta, që nga vrasja e Mostafa Ahmadi Roshanit, shkencëtarit iranian dhe profesorit të universitetit.

Ndërkohë, sekretari amerikan i mbrojtjes, Leon Paneta, mohon akuzat se SHBA-ja është e përfshirë në këtë vrasje.

Ne nuk kemi qenë të përfshirë në asnjë mënyrë në vrasjen që ka ndodhur atje. Unë nuk jam i sigurt se kush ka qenë i përfshirë. Ne i kemi disa ide se kush mund të ketë pasur gisht por nuk e dimë me siguri. Por unë mund të ju them një gjë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të përfshira në përpjekje të tilla. Kjo nuk është një prej veprimeve që bën Amerika”, ka thënë sekretari amerikan i mbrojtjes, Leon Paneta, gjatë një adresimi para ushtarëve amerikanë në Fort Bllis të Teksasit.(v.k.)
XS
SM
MD
LG