Ndërlidhjet

Ambienti i pafavorshëm dëbon investimet


Ilustrim
Ilustrim
Tregu i vogël, imazhi i keq në botë, proceset e stërzgjatura të privatizimit, janë vetëm disa faktorë që ndikojnë në mosardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë, thonë njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë. Gjithashtu, sipas tyre, edhe jostabiliteti politik dhe ekonomik në vend, shprehen negativisht në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, thotë se komuniteti i investitorëve kërkon një treg atraktiv, e që kjo, siç thekson Musa, mungon në Kosovë.

Lekë Musa
Lekë Musa
“Kosova nuk ka investime të huaja për shkak se ka të bëjë me problemin e madhësisë së tregut në Kosovë, i cili treg nuk është shumë atraktiv dhe është një treg vetëm prej 2 milionë banorëve dhe Kosova nuk ka qenë në gjendje të hapë tregje tjera potenciale prej kah do të mund të plasoheshin produktet që do të prodhoheshin në Kosovë. Do të thotë, diçka që do të ndikonte në perspektivë afatgjate ekonomike të Kosovës, dhe në këtë drejtim duhet bërë shumë më shumë”, thotë Musa.

Një element tjetër që ka ndikuar në dëbimin e investitorëve të huaj, sipas Lekë Musës, janë edhe proceset e stërzgjatura të privatizimit. Ai thekson se në sektorin e minierave, Kosova ka potenciale të jashtëzakonshme për investime, por që Qeveria e Kosovës, deri më tani nuk ka bërë asgjë për tërheqjen e investitorëve.

“Kosova ende nuk po arrin të ndërrojë një perceptim tek investitorët e huaj apo te komuniteti i investitorëve në lidhje me atë se çfarë bindje ekzistojnë në bërjen e biznesit në Kosovë. Në Kosovë gjërat ende rregullohen prej elementeve tjera që ndikohen prej politikës apo grupeve të ndryshme të interesit - gjë që ka ndikim të madh në tërheqjen e investitorëve të huaj”, thekson Musa.

Në anën tjetër, autoritetet kosovare vazhdimisht kishin deklaruar se do të punojnë për krijimin e një ambienti të favorshëm dhe të sigurt për investitorët e huaj, por, që sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, është bërë shumë pak në këtë drejtim.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Milazim Abazi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pa ndryshimin e politikave ekonomike në Kosovë, nuk do të mund të ketë investime ndërkombëtare të drejtpërdrejta.

“Investimet e huaja në Kosovë, në radhë të parë, mungojnë për shkak të klimës biznesore, e cila është në Kosovë, krizës në eurozonë, mosprivatizimi i ndërmarrjeve strategjike në vitin e kaluar siç është Postë-Telekomi i Kosovës dhe rrjeti shpërndarës i energjisë elektrike”, shprehet Abazi.

...për shkak të krizës në eurozonë edhe këtë vit nuk mund të presim investime të huaja direkte në Kosovë.

Përveç ambientit të pafavorshëm biznesor, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike, Milazim Abazi, investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kosovë mungojnë edhe si pasojë e krizës ekonomike në eurozonë. Abazi thekson se çdo herë, në kriza të tilla ekonomike globale, investitorët e huaj hezitojnë të investojnë jashtë vendit të tyre.

“Këtë vit Qeveria ka paralajmëruar privatizimin e dy ndërmarrjeve strategjike, si PTK dhe rrjeti shpërndarës i energjisë elektrike, si dhe janë paralajmëruar disa masa lehtësuese në aspektin e politikës fiskale, por të gjitha këto do të kenë pak efekte, për shkak të krizës në eurozonë edhe këtë vit nuk mund të presim investime të huaja direkte në Kosovë”, potencon Abazi.

Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në vitin 2007 investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milionë euro; më 2008, investimet kanë qenë 355 milionë euro; ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro, në vitin 2010, investimet kanë rënë në 265 milionë euro, kurse në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, investimet e huaja në Kosovë kanë qenë 157 milionë euro.
XS
SM
MD
LG