Ndërlidhjet

Riker rithekson mbështetjen amerikane për Kosovën


Filip Riker
Filip Riker
Zëvendës ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker ka zhvilluar të hënën një takim pune me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi.

Takimi është zhvilluar nën dyer të mbyllura dhe është realizuar në kuadër të një vizite dyditëshe që Riker po i bën Kosovës.

Në një komunikate me shkrim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi thuhet se ai e kishte njoftuar diplomatin amerikan Riker për zhvillimet kryesore në Kosovë, me theks të veçantë për dialogun e bisedimeve teknike me Serbinë në Bruksel, pastaj për implemetimin e marrëveshjeve të arritura dhe për përmbushjen e parakushteve për hapjen e perspektivës euroatlantike.

“Në takim po ashtu u bisedua për thellimin bashkëpunimit rajonal të Kosovës, për vazhdimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq diplomati amerikan, sipas kësaj komunikate ritheksoi “mbështetjen e qeverisë amerikane për zhvillimin dhe afirmimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës”.

Riker po ashtu ka zhvilluar një takim të ndarë edhe me koordinatoren e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri. Edhe ky takim është zhvilluar pa praninë e mediave.

Vizita e zotit Riker në Kosovë pason protestën e Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën më 14 janar, në përpjekje për të bllokuar pikat kufitare me Serbinë, në frymë të, siç thuhej, mocionit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për reciprocitet të plotë me Serbinë në rrafshin ekonomik dhe politik.

Protesta përfundoi me më shumë se 140 arrestime dhe dhjetëra lëndime nga radhët e Policisë së Kosovës dhe protestuesve.

Ndryshe, kjo është hera e dytë që zoti Riker viziton Kosovën në cilësinë e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit.

Hera e parë ishte më 17 gusht të vitit të kaluar, pas operacionit të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, për të funksionalizuar pikat kufitare me Serbinë.

Atëbotë, zoti Riker u pati dhënë mbështetje autoriteteve qeveritare të Kosovës të vendosin sundimin e rendit dhe ligjit në veri, ndërkaq kishte përsëritur se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe se nuk mund të ketë ndarje. (z.g.)
XS
SM
MD
LG