Ndërlidhjet

Wikipedia e fitoi një betejë



Wikipedia dhe faqet e tjera në Internet, që e ndërmorën protestën njëditëshe kundër rregullave për Internet në Shtetet e Bashkuara, duket se shënuan fitore në betejën e tyre për më tepër shqyrtim të kujdesshëm për atë se si do të komentohen ligjet.

Një stuhi e protestave nga aktivistët për liri të shprehjes, faqet e popullarizuara në Internet, dhe shfrytëzuesit e Internetit, kanë ndikuar që disa ligjvënës të Shteteve të Bashkuara, ta tërheqin mbështetjen e tyre për legjislacionin anti-pirateri në Internet. Në mesin e tyre gjenden edhe sponsorizues të propozimeve kundërthënëse.

Projekti “Ndale Aktin Piraterik Tash” i njohur me shkurtesën SOPA në Dhomën Përfaqësuese, dhe i ashtuquajturi “Projekti i Aktit të Pasurisë Intelektuale”, i njohur si PIPA, në Senatin e Shteteve të Bashkuara, ishin prioritete të larta për lobistët nga kompanitë argëtuese, botuese, firmat farmaceutike, dhe të tjerët, që thonë se legjislacioni është kritik në reduktimin e piraterisë online.

Qëllimi i legjislacioneve është frenimi i qasjes në uebsajtet tejoqeanike, që në mënyrë piraterike shesin filma, muzikë, dhe përmbajtje të tjera të mbrojtura, kështu që kompanitë në Shtetet e Bashkuara, do të detyroheshin të mos bëjnë biznes me këto uebsajte.

Enciklopedia botërore online, Wikipedia, që është gratis, nuk punoi për një ditë të mërkurën, në shenjë proteste, ndërsa Google dhe të tjerët, përdorën shirita të zi censurues për të tërhequr vërejtjen te detajet në legjislacionet e propozuara.

Senatori Marko Rubio, republikan nga Florida, që është bashkësponsor i projektit PIPA, tha se ka vendosur ta tërheq mbështetjen e tij për këtë propozim.

Ai ka kërkuar nga lideri i shumicës në Senat, demokrati Hari Rid, nga Nevada, që t’i shtyjë planet për paraqitjen e legjislaturës për votim gjatë javëve të ardhshme.

Senatorët e tjerë amerikanë, që po ashtu thonë se tërhiqen nga mbështetja për projektin PIPA, janë republikanët Roj Blunt nga Misuri, Çak Grasli nga Ajova, Orin Haç nga Utahu, Xhon Buzman nga Arkanzasi dhe Xhon Kornin nga Teksasi.

Senatori Kornin tha se “është më mirë që kjo të bëhet në mënyrë të drejtë, sesa shpejt e në mënyrë të gabueshme” dhe shtoi se “përmbajtja e vjedhur është vjedhje, qartë dhe thjeshtë, por shqetësimet për dëmet e paqëllimshme në Internet dhe në inovacione në sektorin teknologjik, kërkojnë më tepër mendim të balancuar, që do të marrë më tepër kohë”.

Personi Endrju Rasiej nga Nju Jorku, ka ndihmuar në organizimin e protestave të rrugës kundër legjislaturës së propozuar, para zyreve në Nju Jork të senatorëve Çak Skumer dhe Kisrten Billibrand.

Kongresi, me urdhër të parave të interesave speciale të përfaqësuara nga industritë për të drejtat e autorëve, po propozon ripërpilimin e Internetit, në mënyrë që është e dëmshme për industrinë tonë dhe për uebin e hapur. Nëse ata janë të suksesshëm, ata jo vetëm që do ta shkatërrojnë inovimin dhe investimet në kompanitë teknologjike, që po paraqiten në Nju Jork dhe çdokund tjetër. Ato në mënyrë të pakthyeshme e dëmtojnë arkitekturën në Internet dhe e forcojnë censurën në mbarë botën”, tha Endrju Raisej.

Protestuesi Ian Basin, ka theksuar se nëse kjo legjislaturë miratohet në formën e saj aktuale, të gjitha uebsajtet do të mund të mbyllen për një shkelje të vetme të së drejtës së autorit, për shkarkim nga secili përdorues i faqes.

Mendoj se kjo dërgon sinjal të gabueshëm për t’i dhënë qeverisë mundësi për t’i mbyllë uebsajtet. Uebi duhet të jetë medium i lirë, që promovon demokraci në mbarë botën. Kur Amerika përpiqet ta bindë Kinën dhe Iranin se ata nuk duhet t’i mbyllin faqet në ueb, ne nuk duhet të krijojmë shembull të keq”, tha Ian Basin.

Shtëpia e Bardhë ka thënë, poashtu, se ka rezerva lidhur me këtë legjislacion. (f. b.)
XS
SM
MD
LG