Ndërlidhjet

Përmbyllin protestën


Merdare
Merdare

Është ndërprerë protesta e Lëvizjes Vetëvendosje e cila kishte nisur të dielën rreth orës 13:00 në dy vendkalimet kufitare në kufi me Serbinë, në Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Kjo protestë kishte për qëllim bllokimin e hyrjes së mallrave serbe nga Serbia në Kosovë.

Rreth orës 22:30 është ndërprerë protesta në vendkalimin kufitar te Dheu i Bardhë.

Ndërsa, pak orë më vonë është ndërprerë edhe protesta tjetër në Merdare.

Zyrtarët e Vetëvendosjes, përmes një komunikate për media kanë thënë se “për shkak të kufizimeve që janë bërë nga policia në aspektin logjistik dhe temperaturës së ultë, është bërë i pamundur qëndrimi i sigurt i protestuesve në Merdare”.

Në orën 01:35, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosjes e kanë mbyllur protestën në Merdare, që ishte organizuar në mbrojtje të Republikës dhe prodhimeve të vendit.

Në komunikatën e lëshuar në orët e para të mëngjesit të së hënës, Vetëvendosje njofton se Policia e Kosovës e ka arrestuar aktivistin Veton Dragusha, i cili ishte i angazhuar në bartjen e batanijeve, ushqimit, reflektorëve e gjësendeve tjera, duke i konfiskuar ato.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, pasi iu ishte drejtuar protestuesve që të shpërndahen në mënyre të qetë, ka theksuar para gazetarëve se “duke qenë se u bë i pamundshëm qëndrimi te Dheu i Bardhë, ku tashmë hynë veturat dhe maunet me mallra serbe, u vendos që tani nuk është më e arsyeshme që të bllokohet Serbia vetëm në njërën pikë kufitare”.

Në këtë komunikatë thuhet po ashtu se “policia kishte bllokuar të gjitha rrugët kryesore për në vendin e protestës, më qëllim të bllokimit të komunikimit mes qendrave urbane dhe protestës”.

Mirëpo, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se në asnjë rast protestuesit nuk janë penguar për të protestuar, e aq më të ushqehen.

Zëdhënësi i policisë Baki Kelani tha për Radion Evropa e Lirë, se protesta u ndërpre për shkak të numrit të vogël të protestuesve.

Në orët e hershme të mëngjesit ka përfunduar protesta. Mund të themi se protesta ka përfunduar ndoshta për arsye të numrit shumë simbolik që kishte mbetur në ato lokacione. Shpërndarja e të gjithë qytetarëve ka qenë ajo kryesorja, e cila ndoshta ka ndikuar në shpërndarjen e protestuesve".

"Kurse, sa i takon ushqimit dhe veshmbathjeve për protestuesit, ju e dini që Policia e Kosovës gjatë gjithë ditës ka lejuar që ato të shkojnë te protestuesit dhe ato janë parë edhe në xhirimet e drejtpërdrejta nga shumë mediume
”, deklaroi Kelani.

Derisa organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nuk kanë raportuar për ndonjë incident gjatë protestave, Policia e Kosovës njofton se një incident ka ndodhur në afërsi të vendkalimit kufitar Dheu i Bardh.

Një autobus i cili ka qenë në kthim e sipër për në Prizren – Dragash, i cili ka qenë me udhëtarë të Vetëvendosjes. Në autobus ka ndodhur një therje me thikë, ku një person ka pësuar plagë në dorë, dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në qendrën emergjente të Gjilanit. Viktima, sipas mjekëve kompetentë, është jashtë rrezikut për jetë”, bëri të ditur Kenali.

Ndërsa, sa u takon reagimeve, Qeveria e Kosovës gjatë kohës sa po mbaheshin protestat, ka lëshuar një komunikatë për media duke thënë se “protesta është krejtësisht e panevojshme dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, në komunikatë është thënë se protesta “ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, mirëpo Policia e Kosovës është përkujdesur që liria e lëvizjes të jetë e garantuar dhe që rrugët të mos bllokohen”.
XS
SM
MD
LG