Ndërlidhjet

Mbështetja në prapaskenë


Ilustrim
Ilustrim
Edhe pse s’do të ketë pasoja legale, referendumi, të cilin pritet ta mbajnë serbët lokalë në veri gjatë javës që vjen, do të prodhojë efekte negative në aspektin politik, vlerësojnë ish-zyrtarët dhe njohësit e proceseve zgjedhore në Prishtinë.

Serbët e veriut të Mitrovicës nuk u janë përgjigjur thirrjeve të autoriteteve kosovare, ndërkombëtare dhe atyre serbe, për mosmbajtjen e referendumit duke sinjalizuar se janë në fazën finale të përgatitjeve për zhvillimin e këtij procesi në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se qëllimi kryesor i referendumit është vazhdimi tensioneve në atë pjesë të vendit.

“Ai nuk do të ketë pasoja juridike; nuk do të ketë mundësi që t’i lidh më tepër qytetarët, por gjithsesi se është edhe një tendencë që atje të rriten tensionet në raport me funksionimin dhe sundimin e ligjit, në raport me shtrirjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve dhe funksionalizimin e institucioneve”, vlerësoi Ferati.

Me referendum, serbët e veriut synojnë të qartësojnë “vullnetin e komunitetit të tyre për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit”.

Qeveria në Beograd publikisht është distancuar nga referendumi i serbëve të veriut, megjithatë, ende nuk ka marrë vendim se a do t’i mbulojë shpenzimet financiare për procesin në fjalë.

Mirëpo, profesori në Universitetin e Prishtinës, Mazllum Baraliu, theksoi se pavarësisht kundërshtimit në opinionin publik që Serbia i ka bërë referendumit, nuk ka dyshime se ai do ta gëzojë mbështetjen e plotë të ekzekutivit serb.

“Mbështetja edhe financiare, edhe politike, por edhe juridike, është nga Beogradi. E gjithë logjistika dhe i gjithë dizajnimi politik i këtij ‘ruleti’ i të ashtuquajturit referendum është i orkestruar nga Beogradi dhe Qeveria e Beogradit”, u shpreh Baraliu.

Prishtina zyrtare e ka quajtur ilegale iniciativën e serbëve të veriut, ndërsa mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë patën tërhequr vërejtjen se me mbajtjen e referendumit, veriu i Kosovës do të shkonte drejt izolimit.

Serbia, ndërkohë, vazhdon të jetë nën presionin e Bashkësisë Ndërkombëtare për zhbërjen e strukturave të saj paralele në Kosovë - kërkesa këto që vijnë në kohën para vendimit për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili pritet të merret në muajin mars.
XS
SM
MD
LG