Ndërlidhjet

Efektet e master-planit të Brezovicës


Ilustrim
Ilustrim
Master-plani i kompleksit turistik Brezovica, i prezantuar ditë më parë nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nga njohës të fushës së turizmit dhe organizatave ekonomike në vend shihet si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e këtij kompleksi turistik.

Bujar Kuçi, ish-udhëheqës i Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se ky master-plan është një hap i mirë, pasi që do të ndihmojë edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj.

“Është një hap i mirë që është bërë nga zyra e BE-së në Kosovë, për atë se Brezovica është njëra nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova. Edhe në të kaluarën është bërë përpjekje që të aktivizohet dhe të ketë investime në këtë pjesë, por që tani pas prezantimit të këtij plani, këto përpjekje do të jenë më të suksesshme”, thotë Kuçi.

Master-plani i prezantuar nga zyra e BE-së në Kosovë do të shërbejë si plan për zhvillimin e një qendre turistike, e cila do të funksionojë gjatë tërë vitit në Brezovicë. Plani për ringjalljen e Brezovicës parasheh zhvillimin e një qendre turistike malore në zonën perëndimore, afër qendrës ekzistuese të skijimit.

Brezovica
Brezovica
Qendra e re që do të funksionojë gjatë tërë vitit, do të ketë kapacitet për të pritur mbi 10,000 mysafirë dhe do të ketë pjerrësira ku mund të bëjnë ski, si fillestarët, ashtu edhe ekspertët; do të ketë një qendër të fshatit me vende akomodimi, restorante dhe pasuri të paluajtshme.

Të gjitha këto investime në këtë kompleks turistik, sipas Bujar Kuçit, ish- udhëheqës i Departamentit të Turizmit, në Ministrinë së Tregtisë dhe Industrisë, do t’i krijojnë të hyra të mjaftueshme sektorit të turizmit.

“Ka shumë vende në botë që të hyrat kryesore i kanë nga sektori i turizmit. Kosova nuk është në atë pozicion, megjithatë sektori i turizmit nëse zhvillohet në nivelin e duhur dhe i shfrytëzon të gjitha kapacitetet që i ka, mendoj që do të ketë zhvillim ekonomik dhe të hyra të mjaftueshme”, thekson Kuçi.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2012 pritet që të organizojë një konferencë ndërkombëtare të donatorëve për të tërhequr investime potenciale nga sektori publik dhe privat.

Lidhur me këtë, përfaqësues të organizatave ekonomike në vend shprehen skeptikë rreth investimeve në këtë pjesë të vendit. Rudina Heroi nga Instituti për Studime të Avancuara jep më shumë hollësi rreth disa hulumtimeve që i kanë bërë gjatë vitit 2008 për këtë kompleks turistik:

“Nga hulumtimet që i kemi bërë rreth privatizimit të Brezovicës në vitin 2008 kemi parë se një firmë nga Serbia është pronare në letra e kompleksit Brezovica. Ne kemi tentuar të kontaktojmë me të, por nuk kemi mundur të marrim asnjë informatë më shumë se a janë këto spekulime apo realisht është një situatë e tillë”.

Të gjitha këto paqartësi, thotë Heroi do të ndikojnë që investitorët potencialë të hezitojnë rreth investimit të tyre në kompleksin turistik Brezovica.

Sidoqoftë, Rudina Heroi thekson se zhvillimi i kompleksi turistik Brezovica do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Brezovica është një kompleks që ka potencial, dhe në bazë të analizave që ka bërë Komisioni Evropian, nëse investohet në të, do të mund të bëhet edhe qendra më e madhe e skijimit në regjion. Nëse e shikojmë potencialin është i madh, por nëse i shikojmë problemet ato janë të mëdha dhe duhet të shikojmë se sa janë të gatshëm donatorët t’u hynë këtyre problemeve”, thekson Heroi.

Masterplani i financuar nga Bashkimi Evropian thekson pronësinë e fuqishme lokale si bazë për rimëkëmbjen e suksesshme ekonomike. Ringjallja e qendrës së popullarizuar të skijimit pritet që të krijojë rreth 3,000 vende pune.
XS
SM
MD
LG