Ndërlidhjet

Veri: Pavarësia nën hijen e referendumit


Ilustrim
Ilustrim
Katër vjet pas shpalljes dhe bërjes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, serbët që jetojnë në veri të vendit vazhdojnë ta kenë të njëjtin qëndrim refuzues ndaj këtij fakti, duke mos i njohur dhe pranuar institucionet e shtetit kosovar, vlerësojnë politikanët serbë të veriut të Kosovës.

Sipas tyre, serbët e veriut konsiderojnë se çështja e statusit të Kosovës ende nuk ka përfunduar dhe se ajo konsiderohet si pjesë e Serbisë, së cilës duhet t’i kthehet, ashtu siç ka qenë para vitit 1999.

Politikani serb nga pjesa veriore e Mitrovicës, Marko Jakshiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se serbët e veriut të Kosovës dhe shumica e serbëve që jetojnë në shtetin e Serbisë, nuk e dëshirojnë dhe nuk e pranojnë shtetin e Kosovës, i cili sot shënon 4-vjetorin e pavarësisë së saj.

“Për ne, serbët, është e rëndësishme dhe qenësore se nuk duam të jetojmë në një shtet tjetër apo të huaj, e sidomos këtë vit kur po bëhen 100 vjet që kur Kosova përsëri kishte ardhur nën pushtetin e shtetit të Serbisë. Gjatë këtyre katër vjetëve, për ne ka qenë e rëndësishme një formë e luftës politike, para së gjithash e serbëve të veriut të Kosovës, që të mos jenë pjesë e një krijese para-shtetërore. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha, unë mendoj se projekti për një shtet të dytë shqiptar në Ballkan, vështirë se do të mund të vihet në jetë deri në fund”, thotë Jakshiq.

Ai shton se serbët do të presin që ndikimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë të bie. Sipas tij, një moment i tillë do të shënonte edhe fundin e shtetit të Kosovës.

Mendim të ngjashëm ka edhe politikani tjetër serb, po ashtu nga veriu i Mitrovicës, Millan Ivanoviq, udhëheqës i Këshillit Kombëtar Serb. Ai thekson se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, katër vjet më parë e deri më tash, qëndrimi i serbëve të veriut për mospranimin e shtetit të Kosovës nuk ka ndryshuar. Dëshmia më e mirë për këtë, sipas tij, është edhe referendumi, i cili është mbajtur dy ditë më parë në veri të vendit.

“Nuk ka ndodhur asgjë e re. Ne nuk e pranojmë shtetin të vetëshpallur, jo ligjërisht, të Kosovës dhe nga ky qëndrim nuk do të lëkundemi. Ne edhe në referendum, në mënyrë plebishitare kemi deklaruar vullnetin tonë dhe i kemi refuzuar institucionet e Kosovës”, thekson Millan Ivanoviq për Radion Evropa e Lirë.

Siç ka thotë Millan Ivanoviq, institucionet dhe shteti i Kosovës, nuk e kanë sovranitetin e plotë në të territorin e vendit, e sidomos në veri, ku sipas tij, nuk kanë kurrfarë ndikimi.

Ndërkaq, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, thotë serbët që jetojnë në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë së vendit e deri më tash, janë duke e përjetuar një mungesë të perspektivës politike, ekonomike dhe të sigurisë. Ai thekson se duhet kërkuar zgjidhje për, siç e quan ai, problemin e Kosovës.

“Mendoj se është momenti që të mendojmë se a mundemi së bashku që përmes dialogut të krijojmë kushtet, që kjo hapësirë, ky territor, çfarëdo qoftë statusi i saj përfundimtar kur ta zgjidhim, mund të trajtohet si një vend ku mund të investohet”, shprehet Oliver Ivanoviq.

Por, lidhur me faktin se a do të gjendet mundësia që Prishtina zyrtare të merret vesh me serbët e veriut të Kosovës dhe ata të integrohen në institucionet e shtetit të Kosovës, politikani serb nga Leposaviqi, Dragisha Kërstoviq, vlerëson se një gjë e tillë ende është e paparashikueshme.

“Këtë do ta tregojë koha. Nuk besoj se kjo do të ndodhë shpejt. Por, në të ardhmen, me siguri që do të ndodhë diçka që do ta ndryshojë situatën, e cila mbretëron tash. Ai do të jetë momenti, kur nga ajo distancë kohore, ne do ta shohim krejtësisht më ndryshe çastin e tanishëm dhe zhvillimet politike, të cilat po ndodhin tash”, thotë Kërstoviq.

Ai thekson se tash për tash, serbët janë të preokupuar me momentin që ka shënuar mbajtja e referendumit dhe katër-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, po kalon thuajse krejtësisht pahetueshëm.

Ndryshe, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, katër vjet më parë e deri më tash, serbët e veriut të vendit kanë shkëputur çdo marrëdhënie me institucionet e Kosovës. Mungesa e pranisë së institucioneve të Republikës së Kosovës në veri ka bërë që kjo pjesë e vendit të konsiderohet si hapësirë ku kriminaliteti dhe joligjësia të arrijnë përmasa alarmuese.
XS
SM
MD
LG