Ndërlidhjet

Pagat e ulëta, çmimet e larta


Ilustrim
Ilustrim
Pagat e ulëta në Kosovë mbeten të pamjaftueshme për standardin jetësor të kosovarëve, thonë disa qytetarë. Sipas tyre, produktet ushqimore janë të shtrenjta dhe vazhdimisht shtrenjtohen, derisa pagat nuk rriten.

Hazbije Kelmendi thotë se me pagat, të cilat janë në Kosovë, është shumë vështirë ta menaxhosh buxhetin. Ajo thotë se produktet ushqimore janë shumë të shtrenjta.

“Pagat janë shumë të vogla në krahasim me standardin dhe çmimet, të cilat janë të larta. Por, jemi optimistë se do të bëhet diçka më mirë. Ata që janë me buxhet të Kosovës, kanë paga shumë të vogla që nuk mjaftojnë për realizmin e jetës së përditshme. Për ne të gjitha produktet janë të shtrenjta, sidomos ato ushqimore, higjienike etj. Një furnizim kushton deri në 50 euro”, thotë Hazbije Kelmendi.

Në Kosovë, në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga më e lartë mesatare është regjistruar në sektorin e shërbimeve të përgjithshme. Paga më e lartë mesatare është regjistruar të jetë 345 euro. Ndërsa, paga më e ulët mesatare është regjistruar në sektorin e strehimit, 220 euro. Ndërkohë, që paga minimale në Kosovë është 170 euro.

Qytetarët thonë se pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta derisa çmimet janë të larta. Ata thonë se në tregun e Kosovës çmimet janë më të larta se ato në tregjet evropiane. Nisur nga kjo, thonë ata, standardi jetësor i kosovarëve vazhdon të mbetet i ulët.

Riza Jusufi, student, thotë se pagat e ulëta iu pamundësojnë qytetarëve që të blejnë edhe disa nga gjërat esenciale që i duhen një familjeje për të jetuar:

“Këto paga nuk mjaftojnë. Ushqimi është shumë i shtrenjtë...”.

Paga mesatare në Kosovë, thotë Idriz Ferati, është paga më e ulët në gjithë Evropën dhe nuk i përshtatet synimeve evropiane të Kosovës.

“Rrogat e ulëta e vështirësojnë standardin jetësor dhe mirëqenien e qytetarëve. Ende nuk janë arritur standardet e Bashkimit Evropian. Nëse e pretendojmë BE-në, duhet të arrihen ato objektiva. Duhet të bëhet më shumë puna nga ana e Qeverisë”, vlerëson ai.

Ndërkohë, më shqetësues mbetet gjendja e pensionistëve kosovarë. Pensionistët kontribut-pagues në Kosovë marrin nga 80 euro në muaj, ndërsa ata të pleqërisë nga 40 euro në muaj. Një qytetar në moshë, pensionist, i cili nuk dëshiron të identifikohet, shpreh pesimizmin e tij lidhur me të ardhurat mujore:

“Për ne, pensionistët, gjithçka është e shtrenjtë. Pensionet janë të vogla dhe nuk mund të arrish të blesh atë që dëshiron. Çmimet çdo herë shtrenjtohen. Rryma është shtrenjtë, buka diku 30 diku 35 dhe është shumë vështirë të dihet se sa janë çmimet në Kosovë”.

Ramadan Ferizi, me profesion ekonomist, thotë se ata, të cilët punojnë, mund ta menaxhojnë mirë buxhetin mujor, por problemi më i madh mbetet tek ata, që janë të papunë dhe marrin vetëm asistencë sociale.

“Problemi i pagave të ulëta është problem kyç, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Pagat nuk janë në nivelin ashtu siç është dashur të jenë. Siç e dimë, para dy viteve ato mund të themi se nuk kanë qenë as paga, por një asistencë sociale, mirëpo tani kanë shënuar rritje. Disa fusha kanë paga të mira, por për ata që janë të punësuar me ato paga që marrin, mund të themi se mund ta mbushin shportën mujore”, thekson Ramadan Ferizi.

Ndryshe, të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se shporta e konsumit u shtrenjtua për rreth 3 për qind në muajin janar, në krahasim me fillimin e vitit të kaluar, ndërsa në krahasim me dhjetorin, artikujt e nevojshëm të konsumit u shtrenjtuan për 0.7 për qind.
XS
SM
MD
LG