Ndërlidhjet

Kina mbështet Asadin, forcat e sigurisë qëllojnë protestuesit


Homs
Homs
Kina ka bërë të ditur se mbështet planet e presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, për referendumin që “do t’i jepte fund dhunës në vendin e tij”. Këtë zotim e ka bërë zëvendësministri i Jashtëm kinez, Zhai Jun, i cili njëherësh është edhe i dërguar special i Kinës për “zgjidhjen e krizës në Siri”.

“Shpresojmë se referendumi për kushtetutën dhe zgjedhjet parlamentare do të zhvillohet në mënyrë të pandërprerë”, ka thënë Zhai pas takimit me Asadin në Damask.

Kreu sirian ka urdhëruar organizimin e referendumit për kushtetutën e re, që do të mbahej më 26 shkurt. Draft-dokumenti, megjithatë, përmban një klauzolë që e përshkruan partinë e Asadit, Baath, si “udhëheqëse të kombit dhe të shoqërisë”. Referendumi i planifikuar është cilësuar si mashtrim nga opozita, e cila thotë se qeveria do të dirigjojë rezultatet.

Zhai po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Siri të ndalojnë dhunën, duke thënë se Pekini është “ekstremisht i shqetësuar” për përshkallëzimin e krizës.

“Kina bën thirrje për ndalimin e dhunës. U bën thirrje të gjitha palëve në Siri të mblidhen për dialog, për të arritur një plan gjithëpërfshirës politik”, ka thënë Zhai.

Mbështetja e Kinës për referendumin e Asadit vjen si përforcim i përkrahjes së Pekinit për regjimin e Damaskut.

Shtëpi të shkatërruara në Siri
Shtëpi të shkatërruara në Siri
Kina dhe Rusia kanë qenë mbështetëset më të rëndësishme ndërkombëtare të Asadit gjatë përleshjeve anti-qeveritare në Siri, të cilat tashmë kanë hyrë në muajin e 11-të dhe kanë rezultuar me disa mijëra të vrarë.

Pekini, këtë javë, ka votuar kundër rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila dënon shkeljen e të drejtave të njeriut në Siri. Shteti kinez, më 4 shkurt, ka kundërshtuar edhe dokumentin e ngjashëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të sponsorizuar nga Liga Arabe.

Brenda Sirisë, forcat e sigurisë kanë hapur sot zjarr ndaj një turme njerëzish, të mbledhur për funeralin e demonstruesve të vrarë në rrethinë të Damaskut.

Sipas aktivistëve “bëhet fjalë për disa viktima në mesin e mijëra pjesëmarrësve në ceremonialin e varrimit”. Disa media raportojnë të jetë vrarë edhe një gazetar i New York Times-it.

Të premten janë vrarë dhjetëra njerëz kur forcat e sigurisë kanë qëlluar protestuesit në lagjet e kryeqytetit, përderisa edhe Homsi ka vazhduar të jetë skenë e bombardimeve.

Protestat anti-qeveritare kanë përfshirë Sirinë që nga marsi i vitit të kaluar dhe, deri më tash, kanë rezultuar me mijëra të vrarë. NATO-ja ka përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të organizatave për të drejtat e njeriut për mbrojtjen e civilëve.(v.t.)
XS
SM
MD
LG