Ndërlidhjet

Rifillon takimi në Bruksel


Ilustrim
Ilustrim
Ka rifilluar rreth orës 10 të mëngjesit dita e dytë e raundit të ri të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në selinë e BE-së në Bruksel.

Edhe sot shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, iu ka shmangur gazetarëve, duke hyrë në ndërtesë, jo nga dera kryesore, nëpër të cilën hyjnë delegacionet, por përmes një hyrjeje tjetër.

Ndërkohë, shefi idelegacionit serb, Borko Stefanoviq, ka thënë se Serbia do të “bëjë çmos që të arrihet marrëveshja për bashkëpunimin rajonal”, por gjithnjë duke respektuar "Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 12 44 dhe interesat kombëtare serbe.”

Ai ka thënë se edhe në ditën e djeshme pala serbe ka qenë më konstruktive, por sipas tij, pala kosovare ka këmbëngulur në disa çështje të papranueshme për Serbinë.

Ndryshe, në Bruksel, raportohet për intensifikim të konsultimeve për t’i dhënë Serbisë statusin e kandidatit.

Disa shtete, si Franca, Italia dhe Austria kanë kërkuar nga shtetet tjera që t’i japin Serbisë statusin e kandidatit, me qëllim që të rikonfirmohet vazhdimi i procesit të zgjerimit.

Ndryshe, marrëveshja për bashkëpunim rajonal, përkatësisht mënyra se si Kosova do të përfaqësohet në nismat rajonale, ka qenë një ndër pikat më të nxehta të këtij raundi të dialogut, meqë nga arritja e kësaj marrëveshjeje dhe zbatimi i atyre të deritashme, varet edhe kandidatura e Serbisë.

Qysh para nisjes së delegacionit kosovar në Bruksel, ka qenë e diskutueshme çështja e fusnotës, që do të përdoret për ta përfaqësuar Kosovën në nismat rajonale.

Pala kosovare është pajtuar që të shkojë me formulën e përmendjes së Rezolutës 12 44, Deklaratës së GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë.

Por, Beogradi zyrtar, ndërsa pajtohet me dy të parat, hedh poshtë përmendjen e Deklaratës së Pavarësisë në fusnotë.

Ka qenë mospajtimi për bashkëpunimin rajonal, ai që ka bërë që bisedimet të ndërpriten në fund të vitit të kaluar.

Dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së ka filluar në marsin e vitit të kaluar, gjatë të cilit janë arritur disa marrëveshje, por ende lë për të dëshiruar zbatimi i tyre. (a.i.)
XS
SM
MD
LG