Ndërlidhjet

Pasqyra e një regjimi shtypës




Shkrimtari francez Gay Sorman po e vizitonte artisten kineze Liu Xia në Pekin, kur gabimisht u fut në dhomën e gjumit të banesës së saj të vogël dhe zbuloi ajo ishte suvatuar me “bebe të shëmtuara”.

Kështu i përshkruan, Liu, gruaja e aktivistit të burgosur për të drejtat e njeriut dhe fituesit të çmimit Nobel për Paqe Liu Xiabo, kukullat ekspresive të shtypura në bardh e zi, që aq shumë e trembën Sormanin.

Falë përpjekjeve të tij, ato u nxorën nga Kina. Këto kukulla paraqesin një pamje të rrallë të izolimit nën regjimin shtypës.

"Liu Xia ndjehej pak e turpëruar sepse askush, përveç një grupi të ngushtë të miqve të saj në Kinë, s’i kishte parë këto fotografi. Ajo tha”, kjo është një punë personale, nuk është për t’u ekspozuar.’ Unë isha shumë i impresionuar nga forca e këtyre fotografive dhe i thshë se këto fotografi gjithsesi se duhet t’i tregohen publikut”, thotë Sorman.

Njëzetegjashtë fotografi, të cilat Sorman, thotë se janë përfaqësim metaforik i vuajtjeve të Lius dhe popullit kinez në përgjithësi- janë përmbledhur në ekspozitën e quajtur "Forca e heshtur e Liu Xia-s."

Fotografitë janë ekspozuar në Akademinë Italiane të Universitetit Kolumbia në Menheten.

Liu – që më shumë njihet për poezitë e saj- ka bërë qindra fotografi të “bebeve të shëmtuara” në mes të vitit 1995 dhe 2005, një periudhë kjo, gjatë së cilës, ajo dhe burri i saj ishin izoluar shpesh në shtëpinë e tyre nga ana e autoriteteve.

Ajo ka përdorur një kamerë ruse të viteve të ’70-ta dhe ka zhvilluar rreth 50 fotografi duke e kthyer kuzhinën e saj të vogël në një dhomë të errët.

Pothuajse të gjitha fotografitë janë bërë me një kamerë të vogël, pa drita në apartamentin e tyre të vogël. Ajo ka qenë në gjendje që të ndërtojë të gjitha këto rrëfime dramatike dhe metafora me mjete shumë të pakta teknike. Mendoj se kjo kontradiktë, i bënë fotografitë kaq impresive”, ka thënë Sorman.

Ai tha se në vitin 2010 – mes dënimit të gjatë të Liu Xiaobo dhe arrestit të saj shtëpiak- ajo ia ka dhënë atij lejen që 30 fotografi të ekspozohen jashtë vendit. Ekspozimi i tyre publik në Kinë do të ishte i pamundur.

Sorman thotë se duke u përpjekur që t’i nxjerrë fotografitë nëpër kufi, ka mundur të tërheqë vëmendjen, andaj ia ka lënë këtë detyrë miqve të Lius, të cilët i kanë kontrabanduar jashtë Kinës një nga një.

Liu Xiabo, një shkrimtar dhe aktivist politik, është dënuar në dhjetorin e 2009 me 11 vjet burg nën akuzat “se ka nxitur përmbysjen e pushtetit”, duke e lidhur rolin e tij me Kartën 08, një manifest që bën thirrje për demokraci më të madhe dhe liri ekonomike.

Pasi që ka vizituar burrin e saj në burg, pas njoftimit se ka fituar çmimin Nobel për paqe, Liu Xia, 52, është vënë nën arrest shtëpiak dhe që nga atëherë është ndërprerë komunikimi me të.

Sorman tha se metaforat në fotografi ofrojnë mesazh të qartë për çiftin.

Kur ke një fotografi të Liu Xia-s, që portretizon Liu Xiabon, i cili mban një kukull në gjoksin e tij, dhe kukulla është duke qarë, kjo përfaqëson popullin kinez në gjoksin e Liu Xiabos. Kur sheh një tjetër kukull, që ështe e lidhur me spango mes librave, ajo përfaqëson Liu Xiabon nën arrest shtëpiak dhe i rrethuar me libra”, shpjegon Sorman.

Mesazhet tjera thotë ai janë më abstrakte dhe lidhen në përgjithësi me popullin kinez.

Në fotografinë, ku një nga kukullat gjuhet me një gur të madh, dhe në gur janë figurat antike kineze që datojnë qe 5 mijë vjet, jepet mesazhi se kinezët do të jenë të lirë, kur ta heqin qafe peshën e historisë”, nënvizon Sorman.

Ai tha mesazhi i shtypjes që jepet përmes kukullave nuk është specifik vetëm për Kinën.

"Liu Xia mund të jetë artiste në Birmani, ose Zimbabve dhe të bëjë fotografi të njëjta”, tha ai.

Ai shtoi se se ndërsa askush nuk mohon regjimin shtypës, Liu përfaqëson një lëvizje kulturore në rritje, që vetëshprehet, pa marrë parasysh pasojat.

Po që se shkon në Kinë, do ta shohësh lindjen e kësaj shoqërie civile. Njerëzit flasin me mendjen tyre. Do ta zbuloni ekzistimin e një rrjeti nëntokësor artistësh dhe Liu Xia është pjesë e kësaj rilindje kulturore”.

“Forca e Heshtur” e Liu Xia-s do të jetë e hapur deri më 1 mars, pastaj fotografitë do të ekspozohen në Madrid dhe Hong Kong.(a.i.)
XS
SM
MD
LG