Ndërlidhjet

Miqtë e Sirisë mblidhen në Tunis


Pamje nga protestat në Siri...
Pamje nga protestat në Siri...
Zyrtarë të lartë nga 70 vendet perëndimore dhe arabe mblidhen sot në Tunis për takimin e ashtuquajtur “Miqtë e Sirisë”.

Raportet e disa mediave thonë se ato do të bëjnë ultimatum për presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad: osë të zbatojë armëpushimin e menjëhershëm, që do të lejonte furnizimin e civilëve me ndihma, ose të vuajë pasojat që do të përcaktohen.

Takimi në kryeqytetin tunizian po ashtu pritet të njohë Këshillin Kombëtar të Sirisë si përfaqësues legjitim të këtij vendi.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka folur më në hollësi për takimin.

“Do të diskutojmë për një gamë të mundësive, nga sanksionet më të fuqishme deri te rritja e ndihmës humanitare për opozitën, e cila do të përfaqësohet në Tunis, në përpjekje për të përfaqësuar të gjithë sirianët”, ka thënë Klinton.

Tunizia pritet të propozojë një zgjidhje për krizën 11-muajshe në Siri, e cila përfshin vendosjen forcës paqeruajtëse dhe largimin e Asadit.

Në prag të takimit, Kombet e Bashkuara dhe Liga Arabe kanë emëruar ish-sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, sit ë dërguarin e tyre special për Sirinë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se Anan do të udhëhiqet nga rezoluta e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e kaluar, e cila mbështetet në planin e Ligës Arabe për largimin e menjëhershëm të Asadit.

Rusia dhe Kina kanë votuar kundër rezolutës në Asamblenë Gjenerale, ashtu si dhe kundër dy rezolutave të tjera të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që dënojnë dhunën në Siri.

Moska dhe Pekini nuk do të marrin pjesë në Konferencën e Tunisit, duke e quajtur atë “ndërhyrje të jashtme”.

Më 23 shkurt, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka biseduar me homologun e tij kinez për Sirinë.

Më pas, Ministria e Jashtme e Rusisë ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se “të dyja vendet mbështesin fundin e shpejtë të çdo dhune në Siri, si dhe nisjen e dialogut intensiv ndërmjet autoriteteve dhe opozitës, që do të përjashtonte ndërhyrjen e huaj në çështjet e Sirisë”.

Në Gjenevë, një komision i emëruar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka thënë se Asadi mund të jetë përgjegjës për krime kundër njerëzimit.

Komisioni i hetimeve tha se edhe forcat rebele, të udhëhequra nga Ushtria e Sirianëve të Lirë, kanë kryer krime, ndonëse “jo në një shkallë të krahasueshme me qeverinë”.

Protestat anti-qeveritare në Siri kanë nisur në mars të vitit të kaluar. Prej asaj kohe, disa mijëra njerëz kanë humbur jetën në trazira.
XS
SM
MD
LG