Ndërlidhjet

Thaçi: Kjo është formulë e përkohshme


Hashim Thaçi
Pas arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Shefi i ekzekutivit kosovar marrëveshjen e ka cilësuar si jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin dhe ka thënë se kjo marrëveshje i sjell Kosovës integrimin evropian.

Lirisht mund të them se përderisa marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, e marrëveshja me Planin Ahtisari i solli pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjell Kosovës integrimet evropiane dhe e bën Kosovën, Kosovë evropiane. Dhe, nuk po flas këtu vetëm për liberalizimin e vizave apo marrëveshjen tregtare, por për një proces të ri - procesin e stabilizimi-asociimit që është hapi i parë zyrtar në procesin e anëtarësimit të shtetit të Kosovës në familjen e madhe evropiane”, ka thënë Thaçi.


Kryeministri Thaçi ka pranuar se “formula në fusnotë nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik, në të cilin po kalon Kosova”.

“Kjo është formulë e përkohshme. Unë jam shumë i vetëdijshëm që veprimi i Qeverisë nuk është shumë populist, por jam i bindur se është në të mirën e vendit”, është shprehur Thaçi.

Sipas tij, marrëveshja e arritur të premten në Bruksel, ka larguar përfundimisht UNMIK-un nga tavolina e përfaqësimit me Kosovën.

“Kosova, me këtë marrëveshje, u përcaktua për integrim dhe jo izolim. Kosova u përcaktua të përfaqësojë vetveten dhe jo të përfaqësohet nga të tjerët. Kosova ka qenë Republikë edhe dje, kur në këto forume rajonale është përfaqësuar nga UNMIK-u dhe me mbishkrimin 1244, dhe do të vazhdojë të jetë republike edhe sot, kur do të përfaqësohet nga Institucionet e Kosovës, pa UNMIK, dhe me fusnotë të balancuar me Opinionin e GJND-së për Deklaratën e 17 Shkurtit për Pavarësinë”, ka theksuar Thaçi.

Kreu i ekzekutivit është zotuar se do të punojë për integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO dhe në BE, duke thënë se një gjë e tillë është vizion i të gjithë qytetarëve të Kosovës.


Reagimet e opozitës

Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, kanë reaguar edhe partitë politike opozitare në vend. Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka thënë se “Kosova duhet të përfaqësohet në të gjitha nismat rajonale si vend sovran, e i pavarur me emrin e vet kushtetues".

“Duke ritheksuar përkushtimin e vet të përhershëm për perspektivën e Republikës së Kosovës në BE dhe në strukturat euroatlantike, si dhe duke ritheksuar përkushtimin e thellë për miqësi të përhershme me SHBA-në, LDK-ja vlerëson se aspirata historike e popullit të Kosovës për integrime mund të arrihet vetëm duke i forcuar institucionet e pavarura të vendit, demokracinë dhe pavarësinë e vendit brenda dhe në raportet ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fusnotën, me të cilën Kosova do të përfaqësohet në forumet dhe nismat rajonale, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si tejet të dëmshme.

Sipas liderit të kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, marrëveshja e së premtes i ka hequr vendit tonë nocionin Republikë, ndërkaq, që mospërfshirja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në fusnotë e bën të papranueshme atë për, siç ka thënë ai, institucionet e vendit dhe popullin e Kosovës.

Kurti ka theksuar se marrëveshja për fusnotën nuk ka të bëjë vetëm me përfaqësimin, por edhe me bashkëpunimin rajonal dhe si rrjedhojë, siç ka thënë ai, në këtë formë Republika e Kosovës privatizohet.

“Pra, Republika e Kosovës, kësisoj, privatizohet. Atë mund t’ia shfaqim vetes sonë, por jo edhe të tjerëve. Qëndrimi personal i kryeministrit aktual, pa diskutim të Qeverisë dhe pa vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u shndërrua në marrëveshje me Serbinë. Kjo është marrëveshje personale e kryeministrit, ndaj së cilës nuk duhet të obligohen institucionet e shtetit dhe shoqëria e populli ynë. Me këtë marrëveshje, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës përsëri po i bëhet statusi i papërcaktuar. Përsëri, për Kosovën e paqartë, po legjitimohen dy palë, vetë Kosova, por edhe Serbia”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se ditën e hënë, më 27 shkurt, do ta organizojnë një demonstratë paqësore, siç e kanë quajtur ata, gjithë-popullore. Me këtë demonstratë ata kanë thënë se do ta bllokojnë për katër orë punën e Qeverisë së Kosovës, e cila, sipas tyre, po e pezullon shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, zyrtarët e lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, marrëveshjen e arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, e kanë parë si marrëveshje në vazhdën e pajtimeve të arritura deri më tash mes dy vendeve, e që sipas tyre nuk po realizohen ashtu siç do të duhej.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, ka thënë se pozicioni i Kosovës dhe paraqitja e saj në bashkëpunimet rajonale duke u prezantuar edhe me Rezolutën 12 44, e kthen Kosovën në pozicionin në të cilin ka qenë dikur në kohën e UNMIK-ut.

“Kthimi i Rezolutës 12 44 është rikonfimimi i prezencës së UNMIK-ut dhe po ashtu pa Republikën e Kosovës që do të duhej të ishte formulim në marrëveshje, cenon të arriturat që kanë qenë deri më tani në Kosovë”, ka deklaruar Isufi.

Komentet (12)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG