Ndërlidhjet

Klinton: Marrëveshja në përputhje me pavarësinë


Hillari Klinton
Hillari Klinton
Marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për bashkëpunimin rajonal, si dhe ajo për zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit, janë një hap i rëndësishëm drejt ardhmërisë së tyre të përbashkët evropiane, ka thënë sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton.

Këto marrëveshje janë në përputhje me pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Ato e lëvizin Kosovën përpara dhe më afër integrimit të plotë evropian, të cilin Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta përkrahin. Kosova tash do të ulet në tavolinë në forumet rajonale si partnere e barabartë, ku do ta përfaqësojë veten dhe do të flasë për veten”, ka thënë shefja e diplomacisë amerikane.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Klinton citohet të ketë thënë se këto marrëveshje do t’i hapin derën edhe kandidaturës së Serbisë për Bashkimin Evropian.

Përparimi i Serbisë drejt integrimit evropian është gjë e mirë për Serbinë, mirë për Kosovën dhe mirë për të ardhmen e tërë rajonit”, ka deklaruar ajo, duke shfaqur shpresën se ”dialogu i lehtësuar nga BE-ja do të vazhdojë lidhur me çështjet e tjera që ndikojnë në jetën ditore të qytetarëve të të dyja shteteve”.

Dëshiroj të lëvdoj të dyja qeveritë për fleksibilitetin e tyre dhe punën e vështirë që e kanë bërë gjatë këtij dialogu. I inkurajoj popujt e Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë këto marrëveshje me mirëbesim dhe që të përkrahin përparimin që është bërë. Të dyja shtetet mund jenë të sigurta për një të ardhme paqësore dhe prosperuese si pjesë e një Evrope të tërë, të lirë, dhe në paqe, vetëm përmes dialogut dhe besimit të rritur”, thuhet në deklaratën e zonjës Klinton.


BE mirëpret marrëveshjen


Diplomatët e Bashkimit Evropian kanë mirëpritur marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal dhe atë për zbatimin e menaxhimit të integruar të kufijve, të arritura mes Prishtinës dhe Beogradit.

Këto dy marrëveshje janë një hap i madh përpara. Ato nuk janë të rëndësishme vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe BE-në”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shefes së diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, dhe të komisionarit për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle.

Sipas Eshtonit, objektiv i dialogut është që palët të ndihmohen në rrugën e tyre drejt Evropës.

Dua t’i përgëzoj të dyja palët. Njëra vë në formë operacionale marrëveshjen për menaxhimin e integruar të pikave kufitare; tjetra konsolidon bashkëpunimin rajonal dhe siguron që secili të përfaqësohet siç duhet. Të dyja këto janë hapa të mëtejshëm në rrugën evropiane”, ka thënë Eshton.

Sipas komisionarit Fyle, “marrëveshja demonstron angazhimin e të dyja palëve për të ardhmen evropiane”.

Marrëveshja e sotme po ashtu përforcon bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe agjendën e zgjerimit me rajonin e Ballkanit perëndimor”, ka thënë Fyle.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur sot marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal.

Emri i Kosovës mësohet se do të paraqitet me fusnotën, në të cilën thuhet se ky titull është pa paragjykuar pozicionin mbi statusin dhe është një linjë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe mendimin e GJND-së mbi deklaratën e pavarësisë së Kosovës.


Hejg: Prishtina e Beogradi të vazhdojnë dialogun


Sekretari i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, ka mirëpritur njoftimin e Bashkimit Evropian për marrëveshjen e bashkëpunimit rajonal që ka arritur Prishtina dhe Beogradi, ashtu si dhe atë për zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit.

Unë kam mirëpritur edhe propozimin e Komisionit Evropian për të nisur studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Hejg.

Diplomati britanik ka përgëzuar presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për, siç ka thënë, gatishmërinë e tyre për të lënë mënjanë sfidat e së kaluarës dhe për të treguar guximin e nevojshëm për arritjen e këtyre marrëveshjeve, të rëndësishme për të ardhmen evropiane.

Britania e madhe mbetet mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të BE-së me të gjitha vendet e Ballkanit. Unë i bëj thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që të mbeten të angazhuara në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë Hejg.(v.t.)
XS
SM
MD
LG