Ndërlidhjet

Politika ndërhyn në politikat ekonomike


Ilustrim
Ilustrim
Ndonëse liderët politikë, në kuadër të institucioneve, janë përgjegjës për të krijuar politika, në bazë të së cilave operon tregu i lirë, në Kosovë përveç kësaj, ka ndërhyrje të politikës në sektorin privat, thonë njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë. Së fundi, thonë ata, ka pasur deklarata që vërtetojnë këtë.

Drejtori ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi i politikës në sektorin privat në Kosovë, është mjaft i shprehur.

“Përzierja e politikës apo liderëve të caktuar politikë në politikat e një kompanie, nuk është konform praktikave më të mira të operimit të tregut të lirë. Pra, ekzistojnë probleme të tilla, siç është rasti i fundit te kompania ‘Ferronikeli’, apo rastet e ndotjes së ambientit nga KEK-u apo ‘Sharrecemi’ në Han të Elezit”, thotë Demi.

Deklarata e fundit, në të cilën thirren ekspertët e çështjeve ekonomike, është e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ditë më parë, duke iu referuar ankesave të qytetarëve të Drenasit, ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa për të parandaluar ndotjen, që sipas tij, është duke e shkaktuar “Ferronikeli”.

Kjo deklaratë e kryeparlamentarit ka nxitur reagime edhe në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë. Drejtori i këtij mekanizmi, Visar Bajra, përmes një komunikate për shtyp, ka reaguar, siç ka thënë ai, ndaj ndërhyrjes së politikës në sektorin privat.

“Politikanët duhet të përmbahen nga dhënia e deklaratave që mund të pengojnë zbatimin e ligjeve mjedisore ose nga përpjekjet e tilla me konotacione të panevojshme politike. Derisa politikanët duhet të përmbushin rolin e tyre të rëndësishëm të zhvillimit dhe implementimit të politikave/ligjeve për çështjet mjedisore, në deklaratat e tyre ata duhet të përmbahen nga vënia në shënjestër e kompanive individuale, meqë kritikat e tilla mund të keqkuptohen si një përpjekje për të frikësuar këto kompani”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, ajo çfarë duhet të bëjnë liderët politikë, sipas Agron Demit, drejtor në Institutin GAP, është që këto raste, siç është ai i “Ferronikelit”, duhet të adresohen në formë institucionale, qoftë tek institucionet gjyqësore apo nëpërmes inspektorateve në kuadër të ministrive.

“Thirrjet e fundit publike se një kompani e caktuar është duke shkaktuar dëme apo duke ndotur ambientin, edhe pse mund të jenë të bazuara, duhet të përcillen me procedura institucionale dhe ligjore, si këto kompani të zbatojnë ligjin. Por, deklaratat e tilla vetëm e acarojnë gjendjen dhe nuk ndihmojnë zgjidhjen e problemit”, thekson Demi.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, thekson se në fazën e tranzicionit ndërhyrja e shtetit duhet të kuptohet në promovimin e sektorit privat dhe zgjidhjes së politikave në fokus të fuqizimit dhe krijimit të një mjedisi miqësor, për investime të brendshme dhe të jashtme.

Ndërhyrja e shtetit, thekson Sadiku, duhet kuptuar edhe në drejtim të krijimit të kushteve të barabarta para institucioneve, autoriteteve fiskale dhe në treg.

Muhamet Sadiku
Muhamet Sadiku
“Shteti, gjatë ndërhyrjes së vet në ekonomi, duhet të lirohet nga ndërhyrjet politike, nga ndërhyrjet burokratike, të cilat mund të reflektojnë në prishjen e mjedisit konkurrues të bizneseve. Dhe, ky teprim i ndërhyrjes do të reflektohet edhe në pengesa të shumta në zhvillimin e bizneseve, të cilat do të dërgojnë drejt dobësimit të efikasitet të bizneseve të treg”, vlerëson Sadiku.

Ndryshe, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, tashmë kanë deklaruar se ekzekutivi nuk ka lidhje me komunitetin e biznesit. Sipas tyre, ekzekutivi ka krijuar ambient të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarive të tyre dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë kompani nuk ka interesa të caktuara.
XS
SM
MD
LG