Ndërlidhjet

Hetime, bisedime, por s'ka rezultate


Ilustrim
Ilustrim
Shkalla e korrupsionit në nivelin lokal është duke u thelluar, thonë përfaqësues të organizatave që merren me parandalimin e kësaj dukurie. Zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, deklaruan për Radion Evropa e Lirë se pikërisht të hënën, më 27 shkurt, kanë hasur në një rast të këtillë.

Duke mos dashur të rrezikojë rastin, kryetari i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni deklaroi se të hënën janë duke parandaluar një aktivitet tenderues në një komunë të Kosovës, që sipas Pretenit dyshohet për keqpërdorime.

“Sot jemi duke dërguar disa zyrtarë që të stopojmë në aktivitet tenderues në një komunë të Kosovës. Ne jemi duke i shfrytëzuar të gjitha kompetencat tona në bazë të ligjit".

"Një gjë e tillë po ndodh edhe sot dhe zyrtarët tanë janë në rrugë drejt një komunë të Kosovës, që ta ndalojnë një tender që është paraparë të hapet sot”
, thotë Preteni.

Aktivitete të tilla, sipas Pretenit, zbatohen në vazhdimësi, por që ende mbetet shumë punë për të bërë. Deri më tani, thotë ai, nuk është bërë shumë në luftimin e kësaj dukurie. Për korrupsionin, thekson Preteni, flitet shumë, por punohet pak në luftën kundër tij.

“Ka disa rezultate, por ku çalojmë më së shumti dhe ku ende mungojnë rezultatet, është fusha e luftimit. Luftës kundër korrupsionit po i mungojnë shifrat. Ka hetime, ka bisedime, por nuk ka gjykime”, thotë ai.

Sipas të dhënave të një raportit ende ta papublikuar të Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka shumë raste të dyshuara për korrupsion në nivelin lokal. Preteni thotë se ky raport do të publikohet brenda disa ditësh, ndërkohë që bën të ditur se numri më i madh i rasteve të paraqitura për korrupsion vjen nga ndërmarrjet publike, pastaj nga qeveria, pushteti lokal dhe gjykatat.

Edhe udhëheqës të organizatave joqeveritare, të cilat merren me parandalimin e korrupsionit, thonë se lufta kundër korrupsionit nuk ka treguar ndonjë rezultat konkret. Avni Zogiani, udhëheqës i organizatës joqeveritare “Çohu”, shpjegon...

“Para së gjithash duhet të krijohet një infrastrukturë ligjore e fortë kundër korrupsionit, e cila nënkupton sanksione të ndjeshme. Aktualisht kemi përgjithësisht një sistem ligjor dhe politik që përkrah korrupsionin”, thotë Zogiani.

Sipas Zogianit, korrupsioni në nivelin lokal ka efekte tejet negative, dhe ata të cilët e pësojnë janë qytetarët e Kosovës.

“Shoqëria kosovare po vazhdon të mbetet peng jo vetëm në sektorin ekonomik, por edhe në kuptimin politik. Nuk mund të ketë një politikë me integritet, nuk mund të ketë një demokraci, në një vend ku ka nivel shumë të lartë të korrupsionit".

"Politika nëpërmjet të bëmave të veta shantazhohet, duke qene se praktikisht kemi një praktikë shumë të gjerë të futjes së politikës në korrupsion”,
thotë ai

Ndryshe edhe Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të merren me rastet e korrupsionit edhe në nivelin lokal.

Së fundmi, edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, është përfshirë në betejën anti-korrupsion, duke themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit.
XS
SM
MD
LG