Ndërlidhjet

Djegia e Kuranit, fushatë për republikanët


Kandidatët republikanë
Kandidatët republikanë
Tre nga katër kandidatët republikanë, të cilët kanë mbetur në garë për presidencën amerikane, kanë thënë se presidenti Barak Obama nuk do të duhej të kërkonte falje për incidentin e djegies së Kuranit në Afganistan.

Lajmi për djegien e Kuranit dhe të materialeve të tjera fetare në bazën ushtarake të SHBA-së, Bagram, ka nxitur protesta në disa provinca afgane. Gjatë gjashtë ditëve trazira, rreth 30 afganë kanë humbur jetën. Edhe vrasja e së shtunës e dy këshilltarëve amerikanë në ndërtesën e Ministrisë së Brendshme në Kabul, ka qenë e lidhur me zemërimin e vazhdueshëm për djegien e Kuranit.

Ambasadori i SHBA-së në Afganistan, Rajan Kroker, u ka dorëzuar të enjten zyrtarëve afganë kërkim-faljen e presidentit Obama.

Sfiduesit e Obamës në zgjedhjet e nëntorit u kapën për këtë çështje edhe në fushatat e tyre. Ata kritikuan Obamën për kërkim-falje, duke thënë se presidenti afgan, Hamid Karzai, do të duhej të ishte ai që do t’i kërkonte ndjesë SHBA-së.

Rik Santorum
Rik Santorum

Kandidati Rik Santorum tha se incidenti ka qenë “gabim” dhe pyeti: përse Obama kishte nevojë të kërkonte falje?!

“Çfarë do të nxirrje si president duke thënë: ishte e paqëllimshme, ishte gabim, nuk ka pasur asnjë akt të qëllimshëm. Kjo është diçka që ka ndodhur dhe nuk do të duhej të ndodhte, por ishte aksident dhe lëre me aq".

"Ju e bëni të duket thuajse ishte diçka për të cilën duhet të kërkoni falje. Nuk ka pasur asnjë veprim që do kërkim-falje. Ka qenë një akt i paqëllimshëm dhe duhet të lihet me aq”,
tha Santorum.

Sipas tij, ngjarjet që kanë pasuar në Afganistan, protestat dhe sulmet ndaj shërbyesve të huaj, janë akte për të cilat duhet të kërkojnë falje afganët.

“Mendoj se Karzai dhe populli afgan duhet të kërkojnë falje për përgjigjen, për sulmet dhe vrasjen e burrave dhe grave tona në uniformë... Kjo është krim i vërtetë dhe jo ajo çfarë kanë bërë ushtarët tanë”, tha Santorum.


Republikanët e shohin këtë si njërën nga çështjet që mund ta përdorin për të fituar më shumë pikë te votuesit, por në kurriz të presidentit Obama.

Kandidati tjetër republikan, Njut Gingriç, ka lëshuar deklaratën ku thotë: “Është Hamid Karzai ai që duhet t’i kërkojë falje popullit amerikan dhe jo anasjelltas”.

Mit Romni
Mit Romni

Duke folur për Fox News, Mit Romni ka thënë se, marrë parasysh numrin e ushtarakëve amerikanë që kanë humbur jetën në Afganistan, ashtu si edhe shpenzimet, “kërkim-falja është diçka shumë e vështirë për t’u pranuar nga populli amerikan”.

Në Afganistan, presidenti Hamid Karzai ka bërë përpjekje për ruajtjen e mbështetjes së brendshme. Zyrtarët afganë druajnë se Talibanët do ta përdorin incidentin me djegien e Kuranit si mjet kyç të propagandës për të nxitur popullin afgan kundër Qeverisë së Karzait dhe pranisë së trupave të huaja.

Karzai ka bërë thirrje për qetësi duke thënë se demonstratat e pakënaqësisë kanë treguar tashmë qëllimin e tyre.

“Tani që kemi shprehur ndjenjat tona dhe kemi mbrojtur besimin dhe vlerat tona fetare me çmimin e jetëve, është koha të rikthejmë qetësinë. Nuk duhet t’iu lejojmë armiqve që ta keqpërdorin atë dhe të rrezikojnë vendin tonë”, ka thënë Karzai, duke kërkuar dënimin e atyre që janë përgjegjës për djegien e Kuranit.

“Në emër të kombit afgan dhe të ndjenjave të afganëve, në fakt të myslimanëve të botës, ne përsërisim kërkesën tonë që Qeveria amerikane t’i vërë para drejtësisë dhe t’i ndëshkojë përgjegjësit e këtij akti”, ka thënë presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai. (v.t.)
XS
SM
MD
LG