Ndërlidhjet

Independent: Siria mbajti referendum absurd


Referendumi në Siri...
Referendumi në Siri...
" Independent"

Sirianët kanë votuar në referendumin e sponsorizuar nga qeveria të dielën, që nëse miratohet, do të lejonte zgjedhje shumë-partiake dhe kufizim të mandatit të presidentit.

Votimi ishte hedhur poshtë dhe vlerësuar si farsë dhe veprim i pamatur politik nga aktivistët dhe politikanët perëndimorë, të cilët thonë se ai ishte përgatitur vetëm për ta forcuar presidentin e kritikuar, Bashar al-Asad.

Anëtarë të opozitës në Siri kishin ftuar për bojkot dhe kërkuan që komuniteti ndërkombëtar të intervenoj për ta përfunduar konfliktin, nga i cili kanë mbetur të vrarë së pakun 6 mijë vetë.

“Populli i Sirisë po bënë thirrje për intervenim ndërkombëtar dhe që ky regjim të tërhiqet”, tha Omar al-Mukdad, një aktivist i njohur sirian, dhe shtoi se “ata nuk dëshirojnë Kushtetutë ose parti politike...Qeveria e Sirisë po tallet me bashkësinë ndërkombëtare dhe me popullin e Sirisë”.

Diplomatët perëndimorë u bashkuan në kritikën e këtij votimi, derisa bombardimet artilerike vazhduan të vrasin shumë njerëz në qytetet Homs dhe Idlib.

“Votimi i turpshëm nuk kontribuon në zgjidhjen e krizës”, tha ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervelle dhe shtoi se “Asadi duhet ta ndal dhunën dhe ta pastroj rrugën për tranzicion politik”.

Kushtetua e re do ta hapë rrugën për ndërtimin e sistemit shumë-partiak në Siri, duke e shfuqizuar një nen, sipas të cilit vetëm Partia Bath është legale.

Po ashtu, do ta kufizojë mandatin e presidentit në dy herë nga shtatë vite.

Nëse miratohet Kushtetua e re, ajo do t’i mundësojë Asadit të qëndrojë në post deri në vitin 2028, ndërsa zgjedhjet shumë-partiake do të mbaheshin brenda tre muajsh.

Sipas Qeverisë së Sirisë, më se 14 mijë vendvotime ishin hapur në mbarë vendin të dielën në mëngjes, ndërsa të drejtë vote kishin afro 14.6 milionë zgjedhës.

Aktivistët pretendojnë se forcat e regjimit i kishin konfiskuar letërnjoftimet e disa individëve, duke u thënë atyre se do t’i kthenin vetëm pasi të kryhen votimet.

Mbështetësit e zotit Asad pretendojnë se Kushtetuta është shenjë se ai është i gatshëm të bëjë reforma politike.

Megjithatë, opozita insiston që Asadi të tërhiqet pa negociata të mëtejshme.

Sirianët në provincën veriore Idlib, e kanë shprehur qëndrimin e tyre refuzues ndaj referendumit duke parodizuar votime me hedhjen e fletëvotimeve në një kontejner të mbeturinave me fjalët “Kutia e referendumit, 26 shkurt 2012”.

Në një video në YouTube shihet edhe një njeri me Kallashnikov, që i detyron sirianët e buzëqeshur të “votojnë”.

Derisa mbahej votimi, së paku 31 njerëz u vranë në dhunën në gjithë Sirinë, por pjesa më e madhe e vrasjeve ndodhën në Homs. (f. b.)
XS
SM
MD
LG