Ndërlidhjet

Tetë mars: E zonja e shtëpisë


Ilustrim
Ilustrim
Më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, e gjithë bota kujton rëndësinë që femra ka luajtur dhe vazhdon të luaj në shoqëri dhe në sfera të tjera.

Pjesë e rëndësishme e punës së saj, si shtyllë themelore e organizimit, qoftë familjar apo në rrethin më të gjerë, mbetet menaxhimi i parasë në shtëpi.

Në Kosovë, shumë gra e mbajnë barrën kryesore të menaxhimit të financave në shtëpi.

Por, si ia dalin ato që të bëjnë një menaxhim të duhur, edhe përkundër të ardhurave të pakta mujore që kanë?

Nysrete Shkodra, me profesion mësuese, është ajo e cila e menaxhon buxhetin e familjes së saj prej katër anëtarëve.

Të ardhurat mujore në këtë familje janë rreth 300 euro, dhe vështirësia më e madhe për zonjën Shkodra është menaxhimi i situatës ekonomike në shtëpi, kur këto të ardhura janë të pamjaftueshme.

Në këtë kohë është shumë vështirë të menaxhohet buxheti familjar. Për një grua është punë e vështirë të bëhet menaxhimi. Nuk mund të bësh menaxhim të mirëfilltë kur nuk ka mjete. Të ardhurat janë shumë të vogla, ndërsa shpenzimet janë tejet të larta. Kur ke edhe studentë në shtëpi, çka mundesh t’iu ofrosh dhe sa mund të jenë ata të kënaqur”, thotë ajo.

Fëmijët e zonjës Shkodra janë studentë dhe të papunë. Ajo tregon se shpenzimet për studentë janë të papërballueshme, por të obligueshme dhe të domosdoshme për arsimimin e fëmijëve.

Gruaja është shtylla e shtëpisë. Ajo i mban të gjitha hallet, në rritje dhe në shkollim të fëmijëve. Pastaj çdo kërkesë duhet të plotësohet përmes nënës. Ende meshkujt tonë nuk janë të vetëdijesuar. Pra e gjithë barra i mbetet gruas në familje”, thotë ajo.

Menaxhimi i buxhetit të familjes mbetet një vështirësi e madhe edhe për Rukije Vllasan. Ajo jeton më bashkëshortin dhe e kanë një fëmijë. Ajo i quan të pamjaftueshme të ardhurat mujore që merr ajo dhe bashkëshorti i saj.

Nëse flas për familjen time, dy javët e para të muajit nuk janë të vështira, por javët e dyta të muajit janë shumë të vështira, pasi që fillon të harxhohet rroga. Unë disi mund të ja dal, pasi që nuk jemi shumë anëtarë të familjes, mirëpo me një rrogë siç e marr unë edhe burri, në një familje 7 apo 8 anëtarësh, besoj që do të ishte shumë më vështirë të menaxhohej buxheti mujor”, thekson ajo.

Hamide Latifi nga Organizata Joqeveritare “Gratë për Gratë”, thotë se gruaja vazhdon të mbetet shtylla e familjes, meqë, siç shprehet Latifi, ajo ka një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimet dhe ndryshimet në shoqëri, dhe me një rol të jashtëzakonshëm në familje.

Një krizë kaq e madhe dhe kaq e thellë nuk do të mund të përballohet nga popullata e Kosovës, nëse gruaja kosovare të mos ishte kaq e shkathët dhe kaq inteligjente për të gjetur mënyra për mbijetesë”, shprehet ajo.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Latifi thekson se gjendja ekonomike e grave është më e rëndë së kurrë, dhe se varfëria dhe papunësia janë po ashtu shumë më të larta te femrat, se sa që prezantohet në shifrat zyrtare.

Pritjet e grave të Kosovës kanë qenë që pas luftës të kenë një jetë më të qetë, një mirëqenie, t’i rrisin fëmijët e tyre me shëndet, arsim, dhe me një ekonomi më të mirë. Mirëpo, këto pritje nuk janë përmbushur fare. Gratë kosovare, si para, edhe pas luftës, janë ballafaquar me sfida të mëdha, sidomos në aspektin të ngritjes së familjes, sigurimit të ushqimit, shkollimit të fëmijëve, e të tjera”, thekson ajo.

Tetë Marsi për herë të parë është festuar në vitin 1911 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën Perëndimore, por atëbotë kjo ishte një lëvizje më shumë politike, që synonte më shumë të drejta për gratë.

Në ditët e sotme, ndërkaq, kjo datë është shndërruar më shumë në një festë komerciale, e cila përshkohet kryesisht me blerje dhuratash për nënën, gruan e motrën.
XS
SM
MD
LG