Ndërlidhjet

Gjysmë të zhveshura shënojnë 8 Marsin


Ilustrim
Ilustrim

Disa gra iraniane kanë vendosur të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas me një veprim provokues.

Ato kanë postuar një video në YouTube, ku paraqiten gjysmë të zhveshura.

Në incizimin prej 31 sekondash, secila nga to duket e zhveshur nga beli e lart dhe flet për arsyen përse ka vendosur të ekspozojë trupin e saj.

Në vendin e atyre që duan, por nuk munden. Unë besoj në barazinë e burrave dhe të grave. Lakuriqësia ime i thotë jo vdekjes me gurë. Mendimet e mia, trupi im, zgjedhja ime. Lakuriqësia ime i thotë jo Islamit politik. Përse jo – unë jam grua” - janë këto mesazhet e këtyre grave iraniane.

Video thuhet të jetë bërë dhe incizuar edhe në mbështetje të një kalendari që tregon një tjetër grup të grave iraniane gjysmë-lakuriq. Kalendari thuhet të jetë bërë në nderim të aktivistes dhe blogeres egjiptiane, Alia Magda Elmahdi.

Vitin e kaluar, Elmahdi ka postuar në blog fotografitë e veta lakuriqe, për të protestuar kundër shtypjes së grave në Egjipt. Veprimi i saj kishte shkaktuar skandal në shoqërinë konservatore të Egjiptit, duke vënë në shënjestër të kërcënimeve edhe vetë jetën e saj.

Aktorja iraniane, e cila jeton në Paris, Golshifteh Farahani, po ashtu ka publikuar video dhe fotografi të saj nudo, pasi ka marrë pjesë në një projekt artistik, ku aktoret dhe aktorët francezë kanë promovuar idenë e lirive trupore dhe artistike.

Fotografitë dhe videoja e Farahanit, që ishin bërë publike në muajin janar, kishin shkaktuar zhurmë të madhe në mesin e iranianëve.

Disa e kishin dënuar për imoralitet aktoren që ishte zhvendosur në Evropë në vitin 2011, të tjerët kishin vlerësuar guximin e saj.

Nudizmi është tabu në vendet myslimane, përfshirë dhe Iranin, ku në bazë të kodit të rreptë të veshjes, që parasheh regjimi islamik, gratë shpesh kërcënohen ose arrestohen edhe nëse zbulojnë vetëm pak flokët.

Pasi Farahani ka pozuar gjysmë e zhveshur, të shumtë kanë qenë ata që kanë sugjeruar në mediat sociale se më shumë gra duhet ta ndjekin shembullin e saj për të thyer tabunë.

Videoja e fundit po ashtu ka nisur të gjenerojë reagime. Një grua iraniane ka shkruar në Facebook se gratë myslimane, që pozojnë lakuriq, dërgojnë mesazhe të fuqishme.

Por, kritikët thonë se ky lloj i protestës mund të çojë në reagime të ashpra, duke u dhënë ekstremistëve fetarë më shumë “prova” për ndikimin e shoqërisë perëndimore.(v.t.)
XS
SM
MD
LG