Ndërlidhjet

Sulmi "tinzar dhe i befasishëm"


Prishtinë
Prishtinë
Pas incidentit të së enjtes pasdite, kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, dha detaje për motivin e sulmit ndaj tij, të cilin e cilësoi "të befasishëm dhe tinëzar".

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se kryeimami Bajgora është sulmuar fizikisht nga Musli Verbani, imam në xhaminë e Kaçanikut.

Vetë Bajgora shprehu bindjen që akti të ketë ndodhur për shkaqe personale.

Sulmi i kryer nga Verbani, sipas kryeimamit të Kosovës, ka ardhur si reagim ndaj moszgjidhjes së tij si kryetar i Bashkësisë Islame në Kaçanik, për një mandat të tretë apo të katërt, gjë që thuhet se kërkon nënshtrimin e një procesi të filtrimit nga Bashkësia Islame dhe kalimin e procedurave të caktuara zgjedhore.

Kryeimami Bajgora tha se, përmes akteve të tilla, individë të caktuar po ndikojnë në prishjen e imazhit të Bashkësisë Islame.

“Me gojën plot mund të them se Bashkësia Islame ka një unitet të jashtëzakonshëm në mes të imamëve, por ja që dalin individë të caktuar që e prishin këtë imazh".

"Ndërkohë, shumica e imamëve të Kaçanikut e kanë dënuar aktin dhe janë kundër veprimeve që i ka kryer imami i apostrofuar”,
u shpreh kryemami Bajgora.

Ndaj sulmit kundër kryeimamit ka reaguar Bashkësia Islame dhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës kërkon nga organet e rendit që sulmuesi të marrë dënimin e merituar për sulm ndaj personit zyrat”, thuhet në reagimin e BIK-ut.

Kërkesën që rasti të zbardhet në tërësi e bëri, përmes një komunikate për media edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, duke rikujtuar se nuk është hera e parë që ndodhin incidente të natyrës së tillë.

“Nuk është hera e parë që individë të ndryshëm, brenda Bashkësisë Islame, mundohen ta zbehin besimin ndaj Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës me akuza të bazuara në fakte të dyshimta, madje edhe me dhunë fizike”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Kryemami i Kosovës, Sabri Bajgora, ndërkaq, shfaqi shpresën që organet e hetuesisë t’i zbatojnë detyrat që kanë në mënyrë që drejtësia ta thotë fjalën e vet.

Ai sigurisht shumë shpejt do të arrestohet dhe do të vihet para drejtësisë. Përndryshe, kam besim të plotë në organet e rendit dhe të drejtësisë që këtë rast do ta çojnë deri në fund”, tha ai.

Por, mësohet se arrestimi i personit që akuzohet se ka sulmuar kryeimamin Bajgora nuk është bërë ende. Policia e Kosovës bëri të ditur se, menjëherë pas marrjes së informatave, ka nisur hetimet duke e kërkuar sulmuesin në disa lokacione, por se nuk ka arritur ende të identifikojë vend-ndodhjen e tij.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk deshi të japë të dhëna për personin e dyshuar për sulm, ndërsa kundërshtoi të flasë edhe për motivet eventuale të sulmit.

“Motivi dhe gjërat e tjera bëhen të ditura pas përfundimit të rastit në përgjithësi, meqenëse çdo gjë është në hetim e sipër”, theksoi Kelani.

Ndërkohë, është paralajmëruar një mbledhje e jashtëzakonshme e Bashkësisë Islame të Kosovës për këtë çështje, që pritet të mbahet në orët e pasdites.
XS
SM
MD
LG