Ndërlidhjet

Dhjetëra të arrestuar në Moskë


Opozita ruse mban protestë në Moskë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:46 0:00



Policia e Moskës ka arrestuar dhjetëra persona në protestat që kundërshtonin zgjedhjen e Vladimir Putinit në postin e presidentit. Lideri i Frontit të Majtë, Sergei Udaltsov, është në mesin e të arrestuarve që kanë bërë përpjekje të marshojnë jashtë protestës së lejuar nga autoritetet ruse.

“Ne nuk i njohim si të ligjshme autoritetet aktuale, Dumën e zgjedhur dhe as presidentin e zgjedhur. Andaj, duhet të veprojmë”, ka thënë Udaltsov.

Edhe udhëheqësi tjetër i opozitës, Vladimir Rizhkov, i ka thënë masës se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale ishin të paligjshme dhe se lëvizja e tij do të vazhdojë të shtyjë përpara kërkesat.

“Ne do të vazhdojmë derisa autoritetet të mos e kenë ndërmend të lëvizin drejt reformave serioze dhe komplekse. Ato nuk e kanë ndërmend të mbajnë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga to reforma të sistemit politik dhe zgjedhje. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë lirimin e të burgosurve politikë”, ka thënë Rizhkov.

Në sheshin Novi Arbat, protestuesit kanë mbajtur balona dhe shirita të bardhë, për të nxjerrë në pah, siç është thënë, mashtrimet e zgjedhjeve presidenciale të 4 marsit dhe të atyre parlamentare, që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar.

Duke folur për Reutersin në Moskë, qytetari Aleksei Nesterenko ka treguar arsyet e protestës së tij.

“Putini ka shkatërruar Kushtetutën dhe ka kandiduar për mandatin e tretë. Në vendin tonë, as Gjykata e Lartë, as Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i thonë se nuk e ka të drejtën e mandatit të tretë. Andaj, ne e kemi këtë rrëmujë në shoqëri”, është shprehur Nesterenko.

Kryeministri aktual i Rusisë, Vladimir Putin, ka fituar zgjedhjet presidenciale me 63 për qind të votave. Ai pritet të marrë drejtimin e presidencës në muajin maj, ndërsa në këtë post ka shërbyer edhe në periudhën 2000-2008.

Duke folur për shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë, një tjetër demonstrues që ka identifikuar veten si Sergei, ka thënë se proteston për zgjedhje të lira.

“Dua që Rusia të jetë vend i lirë. Nuk dua që ata të më mashtrojnë gjatë zgjedhjeve. Unë dua që kur të votoj, vota ime të mos vidhet. Dua të mbetet aty ku e kam hedhur. Kjo është e gjitha”, është shprehur i revoltuar ky protestues.

Gjatë protestave të së shtunës, policia ka shtuar dukshëm prezencën, me rreth 2,500 pjesëtarë në detyrë.

Protesta më të vogla janë raportuar edhe në qytete të tjera të Rusisë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG