Ndërlidhjet

Al-Asad: “Terroristët” bllokojnë zgjidhjen


Siri...
Siri...

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, i ka thënë të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe të Ligës Arabe, Kofi Anan, se qeveria e tij është e gatshme për “përpjekje të ndershme” për t’i dhënë fund dhunës, porse ka fajësuar “terroristët” për bllokimin e zgjidhjes.

Agjencia shtetërore e lajmeve SANA citon Asadin të ketë thënë se dialogu politik nuk mund të jetë i suksesshëm, përderisa “ka grupe të armatosura terroriste që shkaktojnë kaos dhe jostabilitet”.

Anani, njëherësh ish-sekretar i përgjithshëm i OKB-së, nuk ka bërë komente publike pas takimit në Damask.

Opozita, të premten, ka hedhur poshtë sugjerimet e Ananit për dialog, duke thënë se është e pamundur të bisedohet me regjimin e Asadit.

Në Kajro, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka takuar homologët e Ligës Arabe, për të diskutuar krizën në Siri. Lavrov u ka thënë diplomatëve arabë se Moska “nuk mbron asnjë regjim”.

Rusia, aleate për kohë të gjatë e Asadit, dhe Kina, muajin e kaluar i kanë vënë veto rezolutës së Kombeve të Bashkuara që i bën thirrje presidentit sirian të lërë pushtetin.

Në konferencën e përbashkët për gazetarë, Lavrov dhe kryeministri i Katarit, Sheik Hamad bin Jasim al-Thani, kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshje në pesë pika.

Lavrov i ka prezantuar ato para mediave:

“Si rezultat, ne kemi arritur pozicion të përbashkët në pesë pika. Së pari, për t’i dhënë fund të dhunës, pavarësisht se cili është burimi. Së dyti, krijimi i një mekanizmi të pavarur monitorues. Së treti, jo ndërhyrje nga jashtë. Së katërti, sigurimi i papenguar i ndihmës humanitare për të gjithë sirianët. Së pesti, mbështetja jonë për misionin e Kofi Ananit, me qëllim fillimin e një dialogu politik ndërmjet qeverisë dhe të gjitha grupeve opozitare, në bazë të mandatit që ka miratuar Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe Liga Arabe”.

Ai dhe al-Thani nuk kanë pranuar pyetje nga gazetarët.

Aktivistët e opozitës thonë se të paktën 16 rebelë kanë humbur jetën në qytetin Idlib, ndërkohë që kryengritësit kanë vrarë 4 ushtarë dhe kapur 5 të tjerë.

Protestat anti-qeveritare në Siri kanë nisur që në mars të vitit të kaluar. Prej asaj kohe, Kombet e Bashkuara thonë se kanë humbur jetën mbi 7,500 persona, shumica nga ta civilë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG