Ndërlidhjet

Konsumatori i pambrojtur


Ilustrim
Ilustrim
Muaji mars, i cili njihet si muaji i konsumatorit, Kosovën e gjen në një situatë mjaft shqetësuese, sa i përket rrezikut që vjen nga produktet e dyshimta si dhe mungesa e angazhimit institucional në këtë drejtim, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorit.

Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se ligji dhe programet për mbrojtjen e konsumatorit i ofron qytetarëve një mbrojtje të mirë, por kjo, sipas tij, nuk praktikohet.

Sipas Kaçanikut, moszbatimi i ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve ka bërë që tregu kosovar të jetë i furnizuar me produkte me afat të skaduar dhe me cilësi të dyshimtë.

Institucionet e shtetit po na urojë muajin e konsumatorit më një sërë ngritje të çmimeve dhe më një ngritje enorme të çmimit të energjisë elektrike. Qeveria duhet të veprojë në uljen e çmimeve. Ne kemi ngritje të çmimeve tek artikujt elementarë, ne kemi mungesë të mundësive të kushteve të kapaciteteve për kontroll të cilësisë, ne kemi importe me cilësi të dyshimtë, ne kemi mallra të kontrabanduara”, thekson ai.

Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovar është kërkuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Në raportet e tyre ata kishin theksuar nevojën për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.

Përveç ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, në Kosovë ekziston edhe programi i hartuar nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e konsumatorit 2010 – 2015.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thotë se janë duke punuar vazhdimisht për arritjen e standardeve evropiane për mbrojtjen e konsumatorit.

Sipas tyre, konsumatori kosovar është i mbrojtur me mekanizëm ligjor.

Kryesuesi i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit të Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Izer Arifi, thotë ende mungon vetëdijesimi i qytetarëve për të paraqitur ndonjë rast kur konsumatorit i shkelet e drejta.

Megjithatë, sipas tij, institucionet e Kosovës janë duke punuar në këtë drejtim.

Gjatë kësaj kohe, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është në funksion të zbatimit të ligjit aktual dhe programit për mbrojtjen e konsumatorit. Gjatë këtij viti do ta ndryshojmë ligjin, ku janë përfshirë edhe direktivat evropiane të cilat nuk kanë qenë të përfshira”, theksoi ai

Vlerësimet e shumta të bëra nga organizata të ndryshme joqeveritare tregojnë se pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës paraqesin portën kryesore të hyrjes së produkteve me cilësi të dyshimtë dhe me afat të skaduar.

Më së shumti rrezikohemi nga produktet kontrabandë, pasi që produktet që vijnë nga importi i rregullt i nënshtrohen procedurave të rregullta në kufi dhe tregtohen legalisht dhe inspektorët janë në mbikëqyrje, ndërsa ata që shiten si kontrabandë, ato janë të pakontrolluara dhe të rrezikshme”, thekson Izer Arifi.

Sa i përket masave që duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës karshi mbrojtjes së konsumatorit, udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se mund të bëhet më shumë, por që ende mungon një strategji zhvillimore.

Ne nuk kemi plane zhvillimore, ne nuk strategji zhvillimore, ne nuk kemi asgjë të mirëfilltë që t’i krijojmë një perspektivë të denjë konsumatorit. Për fat të keq ajo çka po i ofrohet konsumatorit është varfëria dhe mosinteresimi për të bërë diçka më mirë për konsumatorin, i cili është taksapaguesi i rregullt”, thekson ai.

Ndryshe, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka organizuar “Javën e konsumatorit”, që ka për qëllim vetëdijesimin e konsumatorëve rreth të drejtave të tyre.
XS
SM
MD
LG