Ndërlidhjet

Ndikime serioze në rajon


Refugjatët sirianë...
Refugjatët sirianë...
Diplomatët e Kombeve të Bashkuara thonë se i dërguari i OKB-së dhe i Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan, i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të kapërcejë bllokadën dhe të bashkohet në mbështetje të përpjekjeve të tij, për t’i dhënë fund dhunës në shtetin sirian.

“Sa më shumë që forconi dhe bashkoni mesazhin tuaj, aq më të mëdha i kemi shanset për të zhvendosur dinamikën e konfliktit”, citojnë diplomatët Ananin.

Anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina, u kanë vënë veto dy herë rezolutave të këtij mekanizmi, të cilat dënojnë dhunën e regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Asad, ndaj kundërshtarëve të tij.

Kombet e Bashkuara thonë se mbi 8,000 civilë kanë humbur jetën në dhunën njëvjeçare.

Anan ka folur të premten në një sesion të mbyllur të këshillit 15-anëtarësh, me video-konferencë nga Gjeneva.

Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka takuar Asadin fundjavën e kaluar në Damask. Anan ka thënë se bisedimet e tij janë përqendruar në nevojën për ndalim të menjëhershëm të gjakderdhjes, për qasjen e organizatave humanitare dhe për dialog politik, të cilin opozita deri më tash e ka refuzuar.

Duke folur për gazetarët në Gjenevë, Anan ka paralajmëruar ndikime serioze për gjithë rajonin “nëse dhuna në Siri nuk trajtohet si duhet”.

“Rajoni është jashtëzakonisht i shqetësuar me zhvillimet në Siri. Shqetësimi i tij shkon përtej vetë Sirisë, sepse kriza mund të ketë ndikim serioz për gjithë rajonin nëse nuk trajtohet në mënyrë efektive”, ka thënë Anan.

Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit ka njoftuar se të gjashtë anëtarët e tij kanë vendosur të mbyllin ambasadat në Damask, për të protestuar ndaj dhunës së vazhdueshme të regjimit kundër opozitarëve.

Këshilli në fjalë përbëhet nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Omani, Katari dhe Kuvajti.

Turqia, të premten, ka këshilluar qytetarët e saj të lënë Sirinë. Ministria e Jashtme turke ka thënë se “zhvillimet në Siri paraqesin “rrezik serioz të sigurisë” dhe se ka vendosur të mbyllë seksionin e saj konsullor në Damask, javën që vjen.

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se qeveria e tij po shqyrton edhe tërheqjen e ambasadorit të Turqisë nga Siria.

Autoritetet turke thonë se të paktën 14,000 refugjatë sirianë kanë kaluar kufirin e Turqisë për shkak të dhunës.(v.t.)

Luftimet në Siri
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00
XS
SM
MD
LG