Ndërlidhjet

Dënohet sulmi ndaj Ambasadës maqedonase


Ilustrim
Ilustrim
Autoritetet në Kosovë e Maqedoni kanë reaguar ashpër ndaj sulmit të së premtes mbrëma në Ambasadën maqedonase në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dënoi sulmin në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Prishtinë

“Hedhja e mjetit shpërthyes në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Prishtinë, është një akt i papranueshëm për institucionet dhe qytetarët e vendit tonë”, thuhet në reagimin që lëshoi Presidenca kosovare.

Në komunikatë theksohet se “ky akt, i dënueshëm nga të gjithë, është në kundërshtim me marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, marrëdhënie këto që kanë njohur zhvillime dhe zgjerim të vazhdueshëm”.

Presidentja Jahjaga shtroi kërkesën që “organet përkatëse të zbulojnë sa më parë autorët e këtij akti dhe t’i nxjerrin ata para drejtësisë”

Këtë kërkesë e theksoi të shtunën edhe ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila në një komunikate për media, e konsideroi “tërësisht të papranueshëm dhe në dëm të raporteve miqësore mes dy shteteve” këtë akt “vandal”.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e fuqishëm të institucioneve të shtetit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Republikën e Maqedonisë”, thuhet gjithashtu në komunikatë.

Ndaj sulmit ka reaguar ashpër edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë me kërkesën për parandalimin e incidenteve të tilla.

“Republika e Maqedonisë pret që autoritetet kosovare të punojnë në parandalimin e incidenteve të këtilla, me çka edhe do të manifestoheshin përcaktimet e deklaruara të Kosovës për marrëdhënie të mirë ndërfqinjësore me Republikën e Maqedonisë, për ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë në gjithë rajonin”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.

Bazuar në njoftimet e Policisë së Kosovës, Ambasada e Maqedonisë në Prishtinë ishte sulmuar të premten mbrëma me koktej molotovi.

“Në bazë të informacioneve të para policore dhe kontaktit me zyrtarë të Ambasadës Maqedonase, dyshohet të kenë qenë të përfshirë në rast tre persona të dyshuar me një automjet ngjyrë e bardhë, që dyshohet të ketë qenë e tipit Toyota”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia bëri të ditur se “është duke punuar intensivisht për zbardhjen e rastit dhe është vënë në kërkim të personave të dyshuar”, ndërsa njoftoi se nuk është raportuar për persona të lënduar dhe as për dëme materiale.
XS
SM
MD
LG