Ndërlidhjet

Rasti Kleçka: Gjashtë të akuzuar lirohen


Fatmir Limaj me avokatin e tij (Foto nga arkivi)
Fatmir Limaj me avokatin e tij (Foto nga arkivi)
Trupi Gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, ka shpallur të premten pasdite aktgjykimin për rastin “Kleçka”, sipas të cilit ndaj Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës, dhe Naser Krasniqit do të vazhdojë gjykimi.

Gjashtë të akuzuarit e tjerë, për rastin “Kleçka”, Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, nga trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë janë shpallur të pafajshëm në të gjitha pikat e aktpadisë së ngritur.

Vazhdimi i procesit gjyqësor ndaj katër të akuzuarve të tjerë, sipas trupit gjykues, do të bëhet për shkak të përgjegjësive të tyre komanduese gjatë luftës dhe nevojës për të shqyrtuar disa dyshime që kanë të bëjnë me veprimet e Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës dhe Naser Krasniqit.

Vendimin e trupit gjykues të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Karim Kan, e ka quajtur të paprecedent. Ai ka thënë se dëgjimi ishte jo i kompletuar për sa i përket Fatmir Limajt dhe tre të akuzuarve të tjerëve.

“Ajo që do të them është ajo çfarë kam thënë në gjykatë: Është e paprecedent, gjykatësit kishin mbyllur procedimet. Pasi kishin parë dëshmitë e prokurorisë, kësaj të fundit i është dhënë mundësia të thërrasë dëshmitarë dhe ishte prokurori ai që vendosi të mos e bëjë një gjë të këtillë”, ka thënë avokati Kan.

Ai ka shtuar se në vend të kësaj, prokurori vendosi të mbështetet në deklaratën me shkrim të dhënë nga dëshmitari.

“Ishim të befasuar, thënë më së buti, kur sot, siç e dëgjuat të gjithë në sesionin publik në gjykatë, gjykatësit, pasi kishin shqyrtuar dëshmitë, nuk bënë thirrje për dëshmi të reja apo dëshmi shtesë, por vendosën që prokurori të sjellë dëshmitë e njëjta, të cilat ai i kishte dorëzuar në formë të shkruar”, ka theksuar Kan.

Avokati Kan ka thënë se drejtësia është vënë në vendin e vet për gjashtë të akuzuarit e liruar të premten dhe tani presin mundësinë për të paraqitur mbrojtjen, por fillimisht mbetet të shihet se cilat janë pretendimet e prokurorisë. Sipas tij, trupi gjykues duhet të ketë vëmendje që të mos nxirren në pah “ndryshime të rregullave”.

Kan ka rikujtuar se është detyrë e prokurorit të dëshmojë fajësinë e cilitdo të akuzuar, jo vetëm të atyre gjashtëve që janë liruar, por edhe të katër të tjerëve.

“Gjykatësit natyrisht kanë kërkuar dëshmi dhe ne do t’u përgjigjemi atyre dëshmive, kur t’i shohim se cilat janë”, ka sqaruar Kan.

Edhe Mahmut Halimi, avokat mbrojtës i të akuzuarit Nexhmi Krasniqi, nuk ka qenë i kënaqur me vazhdimin e procesit gjyqësor ndaj klientit të tij, duke quajtur të padrejtë këtë vendim.

“Ne, edhe me parashtresat tona, dhe nëse është nevoja do t’i drejtohemi të gjitha organizatave joqeveritare, të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, që të krijohet një barazi e përhershme dhe një ‘fer’ gjykim në këtë çështje penale-juridike”, është shprehur Halimi.

Ndryshe, trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i ka dhënë prokurorisë 2 javë kohë, që dëshmitarët eventualë t’i sfidojnë provat dhe më pas, 2 javë të tjera, do t’i ketë edhe mbrojtja për të njëjtën arsye.

Sidoqoftë, Prokuroria ka akuzuar Limajn dhe nëntë ish- pjesëtarët e UÇK-së për krime kundër popullatës civile gjatë luftës së vitit 1999.

Më 21 mars, trupi gjykues kishte marrë vendim që deklaratat dhe ditarët e dëshmitarit kryesor në rast, Agim Zogaj, janë të papranueshme, andaj edhe kishte urdhëruar lirimin e të akuzuarve nga paraburgimi
XS
SM
MD
LG