Ndërlidhjet

Edukimi kundër përdorimit të narkotikëve


Ilustrim
Ilustrim
Kosova edhe nga autoritetet ndërkombëtare, në raporte të ndryshme është identifikuar si vend transit i drogës, por edhe vend ku kultivohen substancat narkotike. Fakti se nxënësit në shkolla përdorin substance narkotike, mbetet shqetësues.

Në studimet e bëra nga organizata ndërkombëtare dhe vendore , rreth përdorimit të substancave narkotike, del se të rinjtë nga mosha 16-vjeçare fillojnë të konsumojnë duhanin, alkoolin; rreth 4 për qind kanë provuar kanabisin, barin, hashashin, marihuanën; 0.4 për qind kanë provuar heroinën”.

Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, disa të rinj thonë se edukimi nëpër shkolla sa i përket parandalimit të përdorimit të drogave, mungon.



Arta Hysa, nxënëse, thotë se vetëm kur bëhet fjalë për ndonjë ditë ndërkombëtare kundër substancave narkotike, mbajnë ndonjë ligjëratë për pasojat që shkakton ajo.

“Flasim në rastet kur është ndonjë ditë që ka të bëjë me drogën. Nuk ka informata të mjaftueshme, nuk i vetëdijesojnë shumë. Në shumë shkolla përdoret, as siguria nuk është e mjaftueshme, por as vetëdijesimi për ta”, thotë Arta Hysa.

Edhe Besa Krasniqi, nxënëse e shkollës së mesme “Ali Sokoli” në Prishtinë, mendon se derisa nuk e marrin dënimin e merituar shitësit e drogave, gjithmonë do të ketë probleme:

“Parë nga liria e bredhjes së trafikantëve të drogës nëpër kafeteritë e vendit, shihet qartë se nuk luftohet. Duke e marrë parasysh rritjen e numrit të personave që po vdesin si pasojë e përdorimit të drogave, mendoj se dilerët nuk e marrin dënimin e merituar”.

E, autoritetet e rendit kanë deklaruar se kanë pasur aktivitete të shumta, sa i përket sensibilizimit të kësaj çështjeje. Për dilerët e drogave, ata kanë deklaruar se arrestohen dhe, në konsultim me prokurorin, u caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh. Varësisht nga sasia e narkotikëve që i është gjetur, personit i jepet dënimi i merituar.

Por Kastrioti, 17-vjeçar, nxënës i shkollës së mesme, thotë se nuk kanë munguar ligjëratat në shkolla për vetëdijesimin e pasojave të përdorimit të substancave narkotike:

“Kemi pasur ligjërata që kanë ardhur nga organizata të ndryshme. Por edhe kemi pasur edhe njerëz që janë shëruar nga narkotikët”, shprehet Kastrioti.

Edhe Granit Syla, i cili vitin e kaluar e ka mbaruar shkollën e mesme, thotë se kanë pasur ligjërata në shkolla për pasojat e substancave narkotike, por që, sipas tij, është shumë individuale, se kush dhe pse e përdor:

“Në shkolla na kanë mësuar për pasojat e drogave, por ajo është shumë individuale. Mendoj se nuk është përdorur kaq shumë nëpër shkolla në të kaluarën, por tash mendoj se përdoret shumë”.

Por, jo edhe Linda, studente, mendon se ka informata të mjaftueshme për pasojat që shkaktojnë substancat narkotike.

“Mendoj që pa dyshim nuk ka informata të mjaftueshme për pasojat nga substancat narkotike. Kush është marrë me këtë punë - janë organizatat joqeveritare, e që kanë mbajtur ligjërata njëditore nëpër shkolla, derisa i ka ardhur radha një organizate tjetër, ndoshta pas një viti. Unë e kam kryer shkollën e mesme para një kohe jo shumë të gjatë. Mendoj që Ministria e Arsimit do të duhej të merrej me këtë çështje, të jetë e inkuadruar në lëndë edukative që i mëson fëmijët për pasojat që shkaktojnë drogat dhe përdorimi i tyre”, thotë Linda.

Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Arsimit kanë deklaruar se ky institucion nuk ka statistika të sakta se sa përdoren këto substanca nga fëmijët në shkolla.

Sabit Gashi, student, thotë se mungojnë ligjëratat në institucionet shkollore. Sipas tij, janë shkollat e mesme, aty ku më së shumti përdoren substancat narkotike:

“Nuk është një edukim i mjaftueshëm për përdorimin e drogave. Mungojnë ligjëratat. Unë qe dy vjet jam në fakultet dhe asnjëherë nuk është mbajtur ndonjë ligjëratë. Mendoj se në shkollat e mesme përdoret më shumë, e nëpër fakultetet nuk e di çka të them, nuk më ka rastisur të dëgjoj”.

Albana, 24-vjeçare, mendon se për shmangien e përdorimit të substancave narkotike, do të duhej që për nxënësit e shkollave të mesme të futet një orë si lëndë, të paktën një herë në javë, në mënyrë që të rinjtë të vetëdijesohen për pasojat që sjellin drogat.

“Nuk mendoj që ka informata të mjaftueshme. Sidomos pas luftës është shtuar numri i të rinjve që i përdorin drogat. Do të duhej të kishte, madje e shoh si shumë të nevojshme, të paktën një orë në javë (ligjëratë) të ishte si lëndë”, konsideron Albana.

Ndërkaq, Valdete Hoti, mendon se është dëm shumë i madh, që rinia në masë të madhe t’i përdor drogat:

“ Vetë fakti që po përdoret shumë, sigurisht edhe nuk ka ligjërata të mjaftueshme.
Është dëm shumë i madh për rininë tonë të ndodhin këto gjëra”.


E, psikologët thonë se përdorimi i substancave narkotike, sidomos te moshat e reja, lë pasoja shumë të mëdha. Sipas tyre, mosha më e re që përdor drogë, si kanabis, është 12 vjeç, ndërsa rreth 17 vjeç sillet mosha e atyre që përdorin droga, të cilat shkaktojnë varshmëri të menjëhershme.
XS
SM
MD
LG