Ndërlidhjet

Anan: Damasku ndëpret aksionet të enjten


Ministri i Jashtëm i Iranit, Ali-Akbar Saleh, dhe i dërguari ndërkombëtar për krizën në Siri, Kofi Anan.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Ali-Akbar Saleh, dhe i dërguari ndërkombëtar për krizën në Siri, Kofi Anan.
I dërguari ndërkombëtar Kofi Anan tha se Damasku e ka informuar atë se do t'i ndal të gjitha aksionet ushtarake të enjten në orën 6 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Por, qeveria siriane tha se ruan të drejtën për t’iu përgjigjur çdo sulmi të forcave kryengritëse.

Njoftimi vjen derisa aktivistët sirianë thanë se sulmet e forcave qeveritare kanë vrarë të paktën 12 persona të mërkurën.

Anan i ka apeluar aleatit kryesor të Sirisë, Iranit, që ta mbështesë planin e tij për t’i dhënë fund dhunës në Siri, duke thënë se “çdo militarizim tjetër i konfliktit do të jetë shkatërrues”.

Anan i ka bërë këto komente para gazetarëve pas takimit me ministrin e Jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi, në Teheran.

Salehi ka thënë se presidenti sirian Bashar al-Asadi duhet të mbetet në pushtet, pavarësisht se çfarë drejtimi merr konflikti sirian.


Aktivitete intensive diplomatike për Sirinë

Aktivitetet diplomatike lidhur me Sirinë vazhdojnë edhe sot, pasi Damasku e ka injoruar afatin për tërheqjen e trupave dhe tankeve të veta nga qytetet.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, i dërguari ndërkombëtar për krizën në Siri, Kofi Anan, ishte në Teheran, ndërsa në Uashignton pritet takimi ndërmjet sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton, me kolegun e saj rus, Sergej Lavrov.

Gjatë takimit të tij me ministrin e jashtëm të Iranit, Ali-Akbar Salehi, në Teheran, i dërguari ndërkombëtar për krizën në Siri, Kofi Anan, tha se pozita gjeopolitike e Sirisë është e tillë që “çdo llogaritje e gabuar dhe çfarëdo gabimi mund të kenë pasoja të paimagjinueshme”.

Ai foli edhe për procesin politik në Siri.

Procesi politik që po paraqitet duhet të jetë i udhëhequr nga sirianët dhe duhet të respektoj aspiratat e popullit të Sirisë. Por, ajo që është e rëndësishme është se qeveritë në rajon dhe më gjerë, të punojnë së bashku me sirianët për ta zgjidhur krizën aktuale”, tha Kofi Anan, në konferencën e përbashkët për gazetarë me ministrin e jashtëm iranian, Ali-Akbar Salehi, në Teheran.

Më tutje ai e falënderoi mbështetjen nga Irani, “duke pasur parasysh raportet speciale me Sirinë”. Zoti Anan u shpreh se beson se “Irani mund të jetë pjesë e zgjidhjes”.

Ai ka shfaqur shpresën se nëse çdokush e respekton armëpushimin e propozuar, të enjten në mëngjes në orën 6-të, do të shihet përmirësim i situatës në terren.

Në Uashington, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, pritet të takohet me kolegun e saj rus, Sergej Lavrov.

Zonja Klinton tha se në Nju Jork dhe në kryeqytete të tjera, po vazhdojnë “bisedime intensive” për Sirinë.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Sjuzën Rajs, tha se së shpejti Këshilli i Sigurimit i OKB-së, do të ballafaqohet me “momentin e së vërtetës” në aspektin se nëse duhet të rritet presioni ndaj regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad.

Është pikëpamje e Shteteve të Bashkuara se ne së shpejti do të ballafaqohemi me momentin e së vërtetës, se çka të bëhet nëse qeveria vazhdon të dështoj t’i plotësoj obligimet e veta, derisa ajo jep çdo indikacion se do të vazhdoj ta bëjë këtë".

"Pra, komuniteti ndërkombëtar dhe ky këshill, që e kanë mbështetur tërësisht planin e Ananit, do të duhet të përcaktojnë nëse mbeten unikë në mbështetje të planit të të dërguarit special të përbashkët, Anan. Ky plan, që ne si këshill e kemi miratuar, e vë përgjegjësinë në qeverinë e Sirisë, që të merr hapa esencial fillestar. Pra, mbetet të shihet nëse ne jemi të përgatitur, nëse ekziston jobashkëpunimi, për ndërmarrjen e hapit të ardhshëm logjik, i cili është rritja e presionit ndaj regjimit të Asadit, nëpërmjet aksionit kolektiv”, tha Sjuzën Rajs.

Në terren, brenda në Siri, nuk ka pasur shenja të ndërprerjes së dhunës, nga e cila dje është raportuar për 30 të vrarë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG