Ndërlidhjet

Komisioni për Siguri: Të ndërhyhet në veri


Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Pas incidenteve të fundit dhe tensionimit të situatës në veri të Mitrovicës, Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri vlerësoi se situata në atë pjesë të vendit është e jashtëzakonshme dhe e tensionuar.

Anëtarët e këtij komisioni deklaruan se sulmi në familjen Haradinaj, ku si pasojë humbi jetën një person, është pjesë e akteve që kanë për qëllim spastrimin etnik.

Për këtë gjendje të krijuar në veri, komisioni kritikoi ekzekutivin e vendit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës.

Kryetari i Komisionit, Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se në veri të Kosovës në vazhdimësi janë duke u shkelur ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës.

“Luftimi i shkeljeve kushtetues dhe ligjore që janë duke ndodhur në atë pjesë të Kosovës, në vazhdimësi, nga strukturat ilegale dhe kriminale të dirigjuar nga Serbia, është përgjegjësi primare e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës që të kryejë mandatin e vet për të vendosur sundim të rendit dhe ligjit”, tha Isufi.

Komisioni, duke u nisur nga gjendja e tensionuar në veri, bëri disa rekomandime për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Kosovës që urgjentisht të planifikojnë dhe të ndërmarrin masa që të sigurojnë zbatimin e plotë të kushtetutës në tërë territorin e Kosovës.

Komisioni rekomandoi shtatë çështje që MPB-ja dhe Policia duhet t’i zbatojë sa më parë.

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.
Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.
Rekomandimi i parë ka të bëjë me atë që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës duhet ë dëshmojnë përmbushjen e misionit për vendosjen e rendit dhe kushtetutshmërinë. Po ashtu, thuhet se duhet të bëhen vlerësime gjithëpërfshirëse dhe të veprohet konform me situatën e krijuar, duke përdorur të gjitha mjetet kushtetuese dhe ligjore.

Në pikën e dytë, theksohet nevoja e instalimit dhe funksionalizimit urgjent të institucioneve për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe qetësisë publike.

Rekomandimi i tretë thotë se institucionet e Kosovës, duhet t’i marrin të gjitha masat për mbrojtjen e qytetarëve, të cilët mund t’ju nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese - armiqësore apo dhunës si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar apo etnik.

Në pikën e katërt thuhet se duhet të ketë një bashkëpunim dhe koordinim më të mirë të mekanizmave që janë përgjegjës për sigurinë.

Ndërsa, në pikën pesë thuhet se organet e sigurisë së pushtetit lokal që kanë për qëllim sigurinë, duhet të kenë mbështetje më të madhe.

Kurse, në pikën vijuese thuhet se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë dhe organizmat e tjerë përgjegjës, duhet të ndërmarrin hapa konkretë që të sigurohet prona dhe lëvizja e lirë në komunat veriore.

Ndërkaq, në pikën e fundit thuhet se strategjia për neutralizimin e veprimtarisë së stukuarave kriminale dhe strukturave ilegale duhet të jetë një strategji e kombinuar, duke e bërë të qartë se nuk do të lejohet zhvillimi i aktiviteteve që cenojnë shtetin e Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve.

Komisioni kërkoi që në afat prej 15 ditësh, ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë së Kosovës duhet të raportojnë para komisionit për situatën në komunat veriore të Kosovës.

Mirëpo, këto rekomandime u kundërshtuan nga Goran Marinkoviq, anëtar i Komisionit nga Partia e Pavarur Liberale Serbe. Ai tha se porositë që dërgohen nga Kuvendi duhet të jenë në funksion të qetësimit dhe jo të luftës.

Marinkoviq tha se duhet të bëhen më shumë përpjekje dhe mençuri politike, në mënyrë që t’i qetësojmë tensionet në atë pjesë të Kosovës dhe, siç u shpreh ai, qytetarët që jetojnë atje, të kthehen në institucione dhe në jetesë të përbashkët.
Ndoshta nuk e kam kuptuar mjaftueshëm dhe në Komision unë do të jem kundër atyre propozimeve.

“Mendoj se porositë në këtë rast nuk duhet të dërgohen në atë mënyrë që do të na duhet ta thërrasim policinë që të intervenojë, por mendoj se duhet të investojmë sa më shumë vullnet politik dhe në atë mënyrë t’i zvogëlojmë tensionet, të cilat kanë lindur atje. Sa u përket këtyre propozimeve, të cilat Komisioni duhet t’ia dërgojë ministrit të Policisë, unë nuk i kam në gjuhën serbe. Ndoshta nuk e kam kuptuar mjaftueshëm dhe në Komision unë do të jem kundër atyre propozimeve”, u shpreh Marinkoviq.

Kryetari i Komisionit ,Ahmet Isufi, iu kundërpërgjigj Marinkoviqit duke i thënë se këto rekomandime nuk janë kërkesa të jashtëzakonshme, veç asaj që të respektohet Kushtetua dhe të sigurohen qytetarët në pronat e tyre.

Ndryshe, anëtarët e tjerë të Komisionit për Siguri, kritikuan Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, për mënyrën se si kanë vepruar dhe parë situatën në veri.

Fatmir Xhelili nga Partia Demokratiek e Kosovës tha se të gjitha operacionet që Polica e Kosovës ndërmerr, duhet të jenë të suksesshme.

“Është me të vërtetë e pakuptimtë t’i dërgosh dy policë në një kioskë kartoni, që nuk janë në gjendje ndoshta as veten ta mbrojnë, e jo më një pikë statike”, tha Xhelili.

Ndërsa, nënkryetari i Komisionit, Rexhep Selimi, nga Vetëvendosje vlerësoi se MPB-ja, pas incidentit në lagjen “Tre Rrokaqiejt”, nuk i ka kryer punët, të cilat i takojnë.

“Situata në veri, thjesht, nuk është një situatë e izoluar, as në kohë, e as në hapësirë për shkak se situata në veri është në vazhdimësi me probleme që i ka shkaktuar Serbia dhe bandat që i kontrollon Serbia në veri”, theksoi Rexhepi.
XS
SM
MD
LG