Ndërlidhjet

Bisedime konstruktive me Iranin


Përfaqësuesi i Iranit në bisedimet e Stambollit, Saed Xhalili, dhe shefja për politikë të jashtme e BE-së, Kethrin Eshton, Stamboll
Përfaqësuesi i Iranit në bisedimet e Stambollit, Saed Xhalili, dhe shefja për politikë të jashtme e BE-së, Kethrin Eshton, Stamboll
Përfaqësuesit e Iranit dhe të gjashtë fuqive botërore janë takuar të shtunën në Stamboll, për të diskutuar programin bërthamor të Teheranit.

Pas bisedimeve deri në orët e vona, palët e kanë përshkruar takimin si të dobishëm, por çështja e vetme, për të cilën janë pajtuar, thuhet të jetë nevoja për një raund tjetër negociatash, muajin e ardhshëm në Bagdad.

Dyshimet se programi bërthamor i Iranit ka për qëllim krijimin e armëve atomike, kanë bërë që Kombet e Bashkuara dhe vendet individuale të vendosin një sërë sanksionesh kundër Republikës Islamike. Disa zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe të Izraelit, madje, kanë folur për sulme ushtarake kundër objektivave bërthamore të Iranit.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka thënë se takimi i Stambollit ka qenë “konstruktiv dhe i dobishëm”. Ajo ka theksuar se raundet e ardhshme të takimeve duhet të rezultojnë me “hapa konkretë, drejt zgjidhjes së problemit dhe lehtësimit të tensioneve”.

“Presim që takimet e mëvonshme të çojnë në hapa konkretë, drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të negociuar, e cila rikthen besimin ndërkombëtar në natyrën ekskluzivisht paqësore të programit bërthamor iranian. Kjo është arsyeja përse do të takohemi sërish së shpejti - më 23 maj në Bagdad”, ka thënë Eshton.

Shtëpia e Bardhë ka mirëpritur “qëndrimin pozitiv” të Iranit në bisedimet e Stambollit. Zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare, Ben Rods, ka përsëritur komentet e Eshtonit, duke thënë se Shtetet e Bashkuara duan të shohin “hapa konkretë” nga Irani.

Ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, ka deklaruar se bisedimet e Stambollit ishin “hapi i parë”, për të shtuar se ka ende “rrugë të gjatë përpara”.

Përfaqësuesi i Iranit në bisedimet e Stambollit, Saed Xhalili, ka folur për rëndësinë e një “dialogu konstruktiv” dhe ka thënë se raundi tjetër i bisedimeve duhet të fokusohet në ndërtimin e besimit. Sipas Xhalilit, nuk është vetëm Irani ai që duhet të ndërmarrë veprime për të siguruar vendet tjera.

“Ne duhet të mbrojmë të drejtat tona, si dhe të përmbushim obligimet tona. Në këtë mënyrë mund të bëjmë ca përparim. Në procesin e bashkëpunimit, duhet të kthehet besimi i popullit iranian dhe populli iranian kërkon heqjen e sanksioneve”, ka thënë Xhalili.

Ai e ka bërë të qartë se Irani nuk e ka ndërmend të ndalojë pasurimin e uraniumit, për të cilin thotë se është i nevojshëm jo vetëm për të gjeneruar energji elektrike, por edhe për përdorime mjekësore e të tjera.

Bisedimet në Stamboll, të parat në më shumë se një vjet, janë zhvilluar mes përfaqësuesve të Iranit dhe pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë dhe Gjermaninë.

Ato kanë zënë vend vetëm disa javë para se Bashkimi Evropian të nisë zbatimin e plotë të ndalesës së importeve të naftës iraniane – çfarë është pjesë e sanksioneve të fundit kundër Teheranit, për shkak të dështimit të tij për të vepruar në përputhje me rezolutat dhe kërkesat e Kombeve të Bashkuara.(v.t.)
XS
SM
MD
LG