Ndërlidhjet

Seanca e jashtëzakonshme: Gjithçka dhe kurrgjë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Një seancë e jashtëzakonshme për veriun, pritet të mbahet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

Këtë iniciativë e ka marrë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, dhe ka arritur që t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme për mbajtjen e seancës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, se nga seanca mund të dalin konkluzione e rekomandime që mund ta ndryshojnë gjendjen në veri të Kosovës.

Vet nga debati do të dalin konkluza, qoftë edhe ndonjë rezolutë. Aty, po ashtu, duhet të merret vendim i përbashkët, nuk përjashtohet mundësia për asnjërën. Do të dalë ajo që seanca do të vlerësojë se është më e drejtë, më dobiprurëse, dhe shkon në interes të avancimit drejt zgjidhjes së problemit të Mitrovicës”, tha Grabovci.

Ky veprim i PDK-së erdhi pak ditë pas një iniciative të ngjashme të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk u përfill nga partitë tjera në Kuvend.

Thirrjet e Vetëvendosjes për një seance të jashtëzakonshme, në kërkim të debatit për situatën e re të krijuar në veri, pas vrasjes së Selver Haradinajt, deputetët e partisë më të madhe në vend i kishin konsideruar si imponim për një seancë, që sipas tyre, nuk i kishte plotësuar procedurat.

Megjithatë, deputetët e opozitës nuk janë shumë optimistë se nëse mbahet një debat i tillë në Kuvend, mund të dal diçka që mund të detyrojë qeverinë të ndërmarrë masa në drejtim të ndryshimit të gjendjes në veri.

Nuk presim kush e di se çka. Normalisht që duhet të debatohet, situata është serioze, është keqësuar situata, por ne konsiderojmë se këtu është një përgjegjësi edhe e qeverisë, sepse obligimet dhe detyrat janë të përcaktuar qartë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Nuk është ajo që seanca mund të vendosë çdo gjë, dhe ajo që i definon obligimet e qeverisë. Sigurisht, mund të jetë një seancë që do të ishte një lloj presioni, nëse mund të thuhet, për qeverinë, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, që të jenë më aktivë, pragmatikë e veprues”, tha Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar nga Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Dy nga deputetët e Vetëvendosjes, javën e kaluar, patën bllokuar foltoren e Kuvendit me një pankartë, ku ishin të shënuar emrat e Selver Haradinajt, i vrarë në banesën e tij në veri të Mitrovicës, dhe policit Enver Zymberi, po ashtu i vrarë në pjesën veriore gjatë aksionit policor të 25 korrikut për marrjen e pikave doganore atje.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi tha të martën se gjendja në Mitrovicë kërkon shqyrtim urgjent, pasi që qytetarët shqiptarë në veri të vendit po jetojnë në një gjendje të jashtëzakonshme.

Ai thotë, po ashtu, se Kuvendi sa më parë duhet të marrë vendime për të ndryshuar gjendjen në veri.

Siç shprehet Selimi, sa më parë duhet të ndërmerren masa në zgjidhjen e çështjes së komunave veriore.

Kuvendi do të duhet të merrte vendime, të cilat do të duhej gjithsesi t’i zbatonte Qeveria e Kosovës në përputhje me mandatin që kanë këto dy institucione, e jo si deri më tash, të jetë vetëm një arenë e manipulimeve të qeveritarëve, dhe një institucion të cilin e përdor qeveria në bashkëpunim me shumicën që ka, për të manipuluar dhe për të bërë, jo rrallë herë, eskivazh, ashtu siç edhe bëri kur Lëvizja Vetëvendosje kërkoi seancë të jashtëzakonshme”, theksoi deputeti Selimi.

Pritjet nga seanca e jashtëzakonshme parlamentare e paralajmëruar nga PDK-ja, nuk janë të mëdha as për deputetin Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga seanca e cila është ftuar si e jashtëzakonshme, nuk presim ndonjë rezultat, sepse është ftuar nga partia në pushtet, dhe ata kanë pasur mundësi, me që e kanë qeverinë, të detyrojnë qeverinë që të marrë masa, dhe jo të thërrasin sa për demagogji. Prandaj, konsiderojmë se dy rezolutat e aprovuara më herët, që të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë që në veriun e Kosovës të ketë rend dhe ligj, nuk kanë sjellë rezultate. Prandaj do të jetë një seancë e cila do të përcillet me diskutime, por që nuk presim ndonjë rezultat”, tha Isufi.

Sido që të jetë, PDK-ja, si iniciuese e seancës së jashtëzakonshme, konsideron se thirrja e seancës kërkon një unitet politik.
XS
SM
MD
LG