Ndërlidhjet

Pushteti akuzon Beogradin, opozita akuzon pushtetin


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës po diskuton në një seancë të jashtëzakonshme për situatën në pjesën veriore të vendit. Seanca ishte thirrur për të diskutuar për hapat e mëtejmë të mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë në atë pjesë të Kosovës, ku si pasojë e një sulmi me mjet shpërthyes, më 8 prill, u vra në banesën e tij në lagjen “Tre Rrokaqiejt”, Selver Haradinaj, ndërsa u plagosën disa të tjerë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se përmes veprimeve, siç i quajti ai, joligjore, Qeveria e Serbisë është përgjegjëse e drejtpërdrejt e përkeqësimit të situatës në veri të Kosovës. Ai tha se tensionimit të gjendjes në atë pjesë të vendit po i kontribuojnë vizitat e zyrtarëve serbë që po zhvillojnë fushatë për zgjedhjet serbe të 6 majit, ndërsa i bëri thirrje KFOR-it të mbyllë të gjitha rrugët alternative që ekzistojnë në veri.

“Është obligim i KFOR-it që t’i mbyllë të gjitha rrugët alternative të vijës së gjelbër të kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë për të parandaluar hyrjen e grupeve ekstremiste dhe kriminale në territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi Rexhepi për të shtuar se Qeveria e Kosovës është në favor të bashkëpunimit me autoritetet ndërkombëtare në mbajtjen e rendit dhe të qetësisë në veri të vendit, por se në rast të rrezikimit të kësaj situate, nuk do të hezitojë të veprojë vetë.

Opozita, ndërkaq, akuzoi ekzekutivin e Kosovës për mungesë rezultatesh në integrimin e veriut dhe në sigurimin e një ambienti, në të cilin siç thuhet, qytetarëve do t’u mundësohej zhvillimi i një jetë të sigurt.

Në seancën e fundit të legjislativit kosovar, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kishte protestuar në shenjë pakënaqësie me pjesën tjetër të përbërjes së Kuvendit që nuk u pajtua të thirret seanca e jashtëzakonshme për të diskutuar për gjendjen dhe zhvillimet në Mitrovicë.

Disa nga deputetët e kësaj partie kishin bllokuar foltoren e Kuvendit me një pankartë ku ishin të shënuar emrat e Selver Haradinajt, dhe policit Enver Zymberi, po ashtu i vrarë në pjesën veriore gjatë aksionit policor të 25 korrikut për marrjen e pikave doganore atje.

Visar Ymeri, deputet nga radhët e Vetëvendosjes, e cilësoi të vonuar mbajtjen e seancës, meqë, sipas tij, ishte dashur të reagohet menjëherë pas incidenteve në veri të Mitrovicës. Duke i quajtur të vonuar të gjithë hapat që Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi ka ndërmarrë brenda viteve të fundit në veri të Kosovës, ai tha se ajo nuk është e interesuar për t’i zgjidhur problemet në atë pjesë të vendit. Ymeri kërkoi dorëheqjen e qeverisë për, siç tha ai, shpëtimin e Kosovës.

“Kjo Qeveri, e cila i ndërsen deputetët e vet kundër reciprocitetit - pra, kundër barazisë me Serbinë dhe e cila kategorikisht kundërshton zbatimin e vendimit të Kuvendit që obligon reciprocitet, nuk është një Qeveri që mund t’i kundërvihet Serbisë apo strukturave ilegale të saj në Kosovë. Kjo Qeveri e ka vetëm një mënyrë për ta shpëtuar Kosovën - kjo mënyrë është dorëheqja e saj”, tha Ymeri.

Ndërkaq, Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkoi veprime urgjente të Prishtinës zyrtare në veri të vendit bazuar në obligimet kushtetuese.

“Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë veprim konkret në kthimin e gjykatave dhe institucioneve të tjera në veri të vendit; Qeveria e Kosovës dhe prezenca ndërkombëtare duhet të ndërmarrin veprime konkrete për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe qarkullimin e lirë në veri të Kosovës; që të bëhet presion për lirimin e të burgosurve të arrestuar nga xhandarmëria serbe. Institucionet përgjegjëse vendore e ndërkombëtare - Policia e Kosovës e EULEX-i duhet t’i arrestojnë kriminelët e veriut dhe t’i vënë para drejtësisë; Qeveria e Kosovës t’i ndjekë dhe t’i nxjerrë para ligjit të gjithë bashkëpunëtorët e ashtuquajtur ekonomikë dhe të tjerë që bashkëpunojnë me kriminelët e veriut”, u shpreh Beqiri.

Seanca e jashtëzakonshme për situatën në veri të Kosovës pritet të përfundojë me rekomandime për Qeverinë e vendit lidhur me hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren në veri të Mitrovicës.
XS
SM
MD
LG