Ndërlidhjet

OKB: Zgjerohet misioni vëzhgues në Siri


Vëzhguesit e parë në Siri...
Vëzhguesit e parë në Siri...
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi të shtunën për rritjen e numrit të vëzhguesve të OKB-së në Siri në 300 vetë, gjatë tre muajve të ardhshëm.

Teksti ruso-evropian, që u miratua unanimisht nga të 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit, kërkon edhe ndaljen e menjëhershme të dhunës.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit i jep autoritet sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, që duke u bazuar në zhvillimet në terren, të vendosë se si dhe kur të dërgohen vëzhguesit shtesë.

Ban Ki-mun e përshëndeti vendimin e Këshillit të Sigurimit dhe i bëri thirrje Qeverisë së Sirisë dhe opozitës, që ta bëjnë të mundshme vendosjen e monitoruesve të paarmatosur ushtarakë.

Në deklaratën e tij, ai kërkoi nga presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, “që ta ndalë të gjithë dhunën dhe shkeljet e të drejtave të njeriut dhe në veçanti ta ndalë përdorimin e armatimit të rëndë dhe ta tërheqë këtë armatim dhe njësitë e armatosura nga qendrat e banuara”.

Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin, i tha këshillit se rezoluta ishte e “rëndësisë fundamentale” për ta çuar përpara planin e paqes të ndërmjetësuar nga i dërguari ndërkombëtar, Kof Anan.

“Kjo rezolutë është e rëndësisë fundamentale për ta çuar përpara procesin e zgjidhjes paqësore në Siri. Ajo paraqet konsensus të këshillit lidhur me mbështetjen e planit gjashtë pikësh të Kofi Ananit”, tha Vitali Çurkin.

Ambasadorja amerikane në OKB, Sjuzën Rajs, tha se Uashingtoni do të ndërmarrë masa kundër Qeverisë së Sirisë, nëse ajo dështon t’i plotësojë përkushtimet e veta.

“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje Qeverisë, që të ndërmarrë aksione konkrete. Qeveria e Sirisë e ka injoruar këtë këshill. Durimit të Shteteve të Bashkuara i ka ardhur fundi”, theksoi Sjuzën Rajs.

Ambasadori britanik në OKB, Mark Lajall Grant, i tërhoqi vërejtjen Damaskut për “sanksione të ashpra”.

“Dështimi i vazhdueshëm i regjimit për t’i plotësuar përkushtimet e veta ose çfarëdo përpjekje për ta penguar punën e misionit, duhet të hasë në sanksione të ashpra nga ky këshill”, tha zoti Grant.

Aktualisht, një ekip i vogël i vëzhguesve nga OKB-ja gjendet në Siri për monitorimin e armëpushimit të ndjeshëm ndërmjet forcave qeveritare dhe atyre të kryengritësve.

Monitoruesit për të parën herë u lejuan ta vizitojnë qytetin Homs gjatë ditës së shtunë.

Aktivistët opozitarë thonë se luftimi dhe bombardimi me predha i qeverisë në këtë qytet është ndalur dhe pretendojnë se tanket janë fshehur përkohësisht para vizitës së ekipit të vëzhguesve.

Dhuna e përgjithshme ka shënuar rënie, prej se armëpushimi zyrtarisht ka hyrë në fuqi më 12 prill, por është raportuar për shumë shkelje në gjithë Sirinë.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, forcat qeveritare kanë vrarë më se 9 mijë njerëz në kryengritje.

Qeveria e Sirisë thotë se militantët e mbështetur nga të jashtmit kanë vrarë më se 2600 ushtarë dhe policë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG