Ndërlidhjet

Plan operativ kundër zgjedhjeve lokale serbe


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës përsërisin se do të bëjnë çmos që zgjedhjet lokale serbe të mos mbahen në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, deklaroi të hënën se për moslejimin e mbajtjes se këtyre zgjedhjeve, ekziston edhe një plan operativ i Policisë së Kosovës.

Ky plan, sipas zyrtarëve të MPB-së, bazohet në tri komponentë kryesorë, në atë të mbledhjes së informacioneve, moslejimin e tubimeve të ndryshme elektorale të strukturave paralele, dhe reagimin në rast se vërehet ndonjë organizim i zgjedhjeve.

Megjithatë, ministri Rexhepi, është optimist se zgjedhjet lokale serbe në veri nuk do të mbahen.

Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi
Për ne është me rëndësi ajo pjesa zyrtare (e Serbisë), që nuk do të pranohen zgjedhjet lokale, dhe janë deklaruar se janë kundër organizimit. Ka individë të caktuar të cilët i përkrahin. Materiali zgjedhor mund të përgatitet në forma të ndryshme, me dijen e vet qeverisë".

"Por, ekziston edhe me tutje kjo politikë, që zyrtarisht deklarohen diçka tjetër, dhe ‘nën rrogoz’, siç thonë, i përkrahin. Mirëpo, kjo nuk është as në interes të Serbisë, dhe ketë herë unë besoj që nuk do të ketë shumë dyfytyrësi
”, tha Rexhepi.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se të shtunën ka arrestuar dy serbë, për të cilët thuhet se kanë lobuar në Lipjan, që serbët të dalin në zgjedhje.

Sipas zyrtareve të Policisë së Kosovës, dy serbët dyshohet se kanë kërcënuar banorët e një fshati të Lipjanit që të dalin në zgjedhjet serbe.

Ministri Rexhepi tha po ashtu se do të konfiskohet materiali zgjedhor, në rast se ai zbulohet.

Në këtë drejtim, Rexhepi ka kërkuar angazhim me të madh të KFOR-it dhe EULEX-in në mënyrë që gjendja në veri të mos tensionohet më shumë.

Kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i që t’i përmbushin obligimet e veta që të mos lejojnë që në vendkalimet ilegale të vijnë grupe të ndryshme radikale nacionaliste, si për shembull Obrazi, ose liderët e ndryshëm radikalë”.

Në bazë të marrëveshjes së 16 shtatorit të vitit të kaluar, ata e kanë ketë obligim për arsye se ajo mund ta tensionoj edhe gjendjen ne veri dhe të shkaktoj incidente ndëretnike për të cilën ka përgjegjësi edhe KFOR-i”, deklaroi Rexhepi.

Kurse përfaqësuesit e EULEX-it, thonë ata janë duke i kryer punët e tyre ashtu siç u takojnë.

EULEX-i gjendet në pikat 1 dhe 31, ku së bashku me autoritetet vendore, bën kontrollimin edhe lejon hyrjen e personave të cilët hyjnë në mënyrë të rregullt, ndërsa i kthen mbrapa personat të cilët provojnë në mënyrë jo të rregullt të hyjnë në Kosovë”, tha zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi.

EULEX-i e ka shtuar praninë e tij në veri të Kosovës, për shkak të rritjes së tensioneve gjatë javëve të fundit.

Policia e EULEX-it i ka shtuar patrullat lëvizëse në fshatrat përreth Mitrovicës si dhe në pjesën veriore të Mitrovicës, veçanërisht në zonën e Tre Rrokaqiejve, bëri të ditur zëdhënësi Krasniqi.

Nga ana tjetër, njëri nga udhëheqësit e të ashtuquajturit kuvend i komunave dhe vendbanimeve serbe, Marko Jakshiq, ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi nuk do të mund të realizojë kërcënimet se nuk do të mbahen zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.

Ai ka thënë po ashtu se “Materiali zgjedhor tashmë ekziston dhe nuk ka se si Rexhepi të pengojë zgjedhjet”.

Ndryshe, Serbia ka shpallur zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale më 6 maj.

Për zgjedhjet lokale, tashmë edhe vetë zyrtarët e Beogradit, janë shprehur të gatshëm që të heqin dorë nga mbajtja e tyre në Kosovë, meqë për këtë nuk ka pajtim të mekanizmave ndërkombëtarë, por, jo edhe për ato parlamentare dhe presidenciale.
XS
SM
MD
LG