Ndërlidhjet

Armenia shënon përvjetorin e gjenocidit


Nga ceremonia në Jerevan, 23 prill 2012
Nga ceremonia në Jerevan, 23 prill 2012
Armenia po shënon “Ditën Memoriale të Gjenocidit” në nderim të rreth 1.5 milionë armenëve të vrarë nga turqët otomanë 95 vite më parë.

Mijëra njerëz e kanë shënuar këtë ditë në kryeqytetin armen, Jerevan.

Presidenti armen, Serzh Sarkisian, e ka përshkruar këtë përvjetor si ditë të zisë kombëtare.

"Asjë e humbur nuk do të harrohet. Ne nuk jemi ata që harrojmë rrënjët tona, ne jemi Armenia”, ka thënë presidenti i këtij vendi.

Gjenocidi kontestohet nga qeveria e Turqisë fqinje.

Ankaraja mohon masakrimin e 1.5 milionë armenëve nga turqët otomanë në vitet 1915-1918 dhe qeveritë e deritashme në Turqi thonë se numri i të vdekurve është shumë më i vogël, të cilët jetën e kanë humbur gjatë kryengritjes civile dhe jo në kuadër të përpjekjeve të qeverisë otomane për të zhdukur pakicën e krishterë.

Kjo çështje ka bllokuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Armenisë dhe Turqisë, edhe pse të dyja vendet ndajnë një kufi prej 330 kilometrash.

Armenët e shënojnë 24 prillin si fillimin e fushatës otomane kundër armenëve etnikë.

Por, edhe në Stamboll, të dielën, aktivistët turqë u mblodhën për të nderuar viktimat armene. Në heshtje dhe me qirinj të ndezur, në sheshin Taksim në qendër të Stambollit, ata kanë hedhur lule mbi një mbishkrim, në të cilin thuhet: “Kjo dhimbje është dhimbja jonë”.

Po të dielën, disa dhjetëra intelektualë turqë u mblodhën në afërsi të një muzeu në Stamboll, i cili më 1915 kishte shërbyer si burg për armenët e përndjekur.

Manifestimet e këtij viti në Turqi janë të dytat me radhë që shënojnë përvjetorin e gjenocidit dhe shihet si përpjekje për të sfiduar qëndrimin e qeverisë turke ndaj kësaj ngjarjeje.

Manifestimi i parë ka ndodhur në vitin 2010, por në të, numri i pjesëmarrësve ishte dukshëm më i vogël se këtë vit. (a.v.)
XS
SM
MD
LG