Ndërlidhjet

Gjysmë milioni euro për rindërtimin e shtëpive në veri


Mitrovicë...
Mitrovicë...
Qeveria e Kosovës ka ndarë një gjysmë milioni euro për rindërtimin e shtëpive në pjesën veriore të Kosovës.

Vendimi është marrë në mbledhjen e së mërkurës të ekzekutivit kosovar dhe në kohën kur janë rritur kritikat drejtuar institucioneve vendore e ndërkombëtare për qasjen e deritashme ndaj problemeve të qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të vendit.

Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kërkoi një angazhim të shtuar të pranisë ndërkombëtare në veri të Mitrovicës.

Ne nuk mund ta kufizojmë punën e EULEX-it në kuptimin e mossuksesit. Ne konsiderojmë që ai mision ka qenë i suksesshëm në Kosovë, por ka pasur dhe ka mundësi të bëjë më shumë në veriun e Kosovës dhe të mos jetë neutral përballë statusit”, u shpreh ai.

Komenti i tij vjen pas kritikave që kreu i Aleancës Veri-Atlantike, Anders Fog Rasmusen, ia ka drejtuar BE-së rreth mungesës së burimeve të EULEX-it, gjë që, siç ka thënë, ndikon dhe në punën e KFOR-it.

Ky mision pritet, sikurse që bëri EULEX-i ditë më parë, ta shtojë praninë në pjesën veriore të Kosovës.

Mësohet se gjatë ditës në Kosovë pritet të arrijë një pjesë e kontingjentit të mbi 500 trupave që NATO-ja planifikon t’i dërgojë në vend para zgjedhjeve serbe të 6 majit.

Të dyja misionet në fjalë, sipas Kuçit, do të përjashtohen nga planet e deritashme qeveritare për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, meqë “fundi i ekzistimit të një roli ekzekutiv për Zyrën Civile Ndërkombëtare nuk nënkupton të njëjtën gjë edhe për EULEX-in dhe KFOR-in”.(e.p.)
XS
SM
MD
LG