Ndërlidhjet

Kohë rriqrash


QKUK
QKUK

Në Klinikën infektive, në Qendrën Klinike Universitare, çdo ditë kërkojnë ndihmë rreth 5 pacientë, të cilët pickohen nga rriqrat.

Sipas infektologëve, përgjithësisht të sulmuarit nga rriqrat, kanë pasur formë klinike të lehtë.

Izet Sadiku, infektolog, thotë se tashmë janë bërë gjitha përgatitjet me medikamente, në rast të ndonjë fluksi të të pickuarve nga rriqrat.

Me rritjen e temperaturave, fillon edhe paraqitja e pickimit të rriqrave. Tashmë, kemi një rast me ethe hemoragjike, por në formë më të lehtë të sëmundjes, derisa kemi raste sporadike, deri në 5 raste ne ditë”, thotë Sadiku.

Ndërkaq, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë se ky institut, edhe sivjet ka bërë përgatitje të duhura për t’u mbrojtur nga rriqrat, sidomos në rajonet endemike të Kosovës, si në komunat e Rahovecit dhe Malishevës, aty ku rriqrat janë më të pranishme.

Instituti Kombëtar, tashmë me ekipet e veta, është në teren, dhe janë duke punuar bashkërisht, edhe pse mjetet financiare janë minimale dhe nuk lejojnë që të bëhet dezinfektimi dhe masat tjera dezinfektuese në një sipërfaqe tejet të gjerë”.

Ne kemi pasur një rast të dyshimtë, dhe kemi vënë në terapi të drejtpërdrejt pacientin, i cili është jashtë rrezikut për jetë. Sidoqoftë instituti është i gatshëm të intervenojë në çdo kohë me ekipet e veta, edhe pse, duke e marrë parasysh natyrën e sëmundjes, është duke bërë parandalimin e suksesshëm”, shprehet Ramadani.

Ndërkaq, Izet Sadiku, pohon se shoqata e infektologëve të Kosovës, do të takohet me zyrtarë shëndetësorë të të gjitha klinikave që trajtojnë ethet hemoragjike, krime kongo, në mënyrë që të shkëmbehen përvojat dhe të bëhet më e mira, si në parandalimin e infektimit, po ashtu edhe në trajtimin e sëmundjes.

Shoqata e infektologëve të Kosovës, do të mbajë takim me Qendrat e Mjekësisë Familjare, që vijnë nga zonat ku ka më shumë raste të pickimit të rriqrave, me Institutin Kombëtar të Shëndetit publik, si dhe me klinikat që kanë lidhshmëri me këtë sëmundje. Kjo me qëllim të përgatitjes dhe shkëmbimit të përvojave tona, dhe menaxhimit më të mirë të këtij fenomeni”, thekson Sadiku.

Sidoqoftë, numri më i madh i viktimave është shënuar vitin 2001, dhe vitin e kaluar, kur si pasojë e pickimit të rriqrave, përkatësisht etheve hemorragjike, kanë humbur jetën nga 7 persona.

Simptomat e para te pacientët e pickuar nga rriqrat janë temperatura e lartë, gjakderdhja nga hunda, lodhja, molisja dhe simptoma të tjera, pas shfaqjes së të cilave është i domosdoshëm konsultimi me mjekun.
XS
SM
MD
LG