Ndërlidhjet

Obama: NATO e vendosur për dorëzimin e kompetencave tek afganët


Barak Obama në Samitin e NATO-s në Çikago
Barak Obama në Samitin e NATO-s në Çikago
Presidenti amerikan Barak Obama tha se NATO do t’ia dorëzojë përgjegjësitë mbi sigurinë forcave afgane në Afganistan në mesin e vitit të ardhshëm.

Duke folur në mbyllje të samitit në Çikago, Obama tha se NATO do të lë prapa një mision trajnimi, pasi që t’i tërheqë trupat luftarake në fund të vitit 2014.

Në takimin e ISAF-it u pajtuam që forcat afgane do të ndërmarrin rol udhëheqës për operacionet luftarake në vitin e ardhshëm, pra në mesin e vitit 2013. Në atë kohë, forcat e ISAF-it do të lëvizin nga roli luftarak në atë mbështetës në të gjitha pjesët e vendit. Ky do të jetë hapi i madh drejt qëllimit për të cilin jemi pajtuar në Lisbonë- përfundimi i tranzicionit dhe udhëheqja e sigurisë nga afganët në fund të 2014-ës”, u shpreh Obama.

Ai tha se NATO ka qenë “unike mbi planin që në mënyrë të përgjegjshme t’i jepet fund luftës në Afganistan”.

Lideri amerikan tha se i kupton sfidat serioze që mbeten në Afganistan dhe i përshkroi talibanët si “armiq të fuqishëm”.

Nuk mendoj se do të mund të arrijmë një pikë optimale, kur do të themi, ‘u krye, kjo është e përsosur, kjo është mënyra se si kemi dëshiruar të jetë, dhe tash t’i mbledhim të gjitha pajisjet dhe të shkojmë në shtëpi’. Ky është një proces, që nganjëherë është proces i çrregullt, sikur që ishte edhe në Irak”, tha Obama.

Obama foli për një “përparim të kujdesshëm”, por pa marrëveshje në bisedimet joformale me presidentin pakistanez Asif Ali Zardari në lidhje me rihapjen e rrugëve furnizuese, të cilat Islamabadi i mbylli pasi që NATO mbyti aksidentalisht 24 ushtarë pakistanezë në nëntorin e kaluar.

Nuk e kemi paraparë që rrugët furnizuese të zgjidhen në këtë samit. E kemi ditur që para ardhjes në Çikago. Por, në të vërtetë, po bëjmë një përparim të kujdesshëm”, tha Obama.

Në mbyllje të konferencës për gazetarë sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fog Rasmusen tha se aleanca 28 anëtarëshe i ka arritur qëllimet e parashtruara për këtë samit.

Kemi ardhur në Çikago me qëllimet të cilat i kemi arritur. Kemi qenë të fokusuar në të ardhmen e Afganistanit dhe kemi vendosur që të investojmë në mënyrë të mençur në mbrojtje në kohët e masave të kursimit, dhe kemi angazhuar partnerët tanë në botë, që t’i adresojnë sfidat me të cilat përballet shekulli 21”, tha Rasmusen.

Liderët e NATO-s janë fokusuar në financinim afatgjatë të policisë dhe ushtrisë afgane.

Uashingtoni po kërkon nga aleatët që të ndihmojnë në këtë fushë, edhe pas 2014-ës, duke kërkuar një shumë prej 1.3 miliardë dollarësh.

Deri më tash, përkushtimet për Afganistanin përfshijnë shumat vjetore prej 100 milionë dollarësh nga Britania, 120 milionë të Italisë, 110 milionë të Kanadasë, 100 milionë të Australisë dhe 20 milionë dollarë të Turqisë.

Zardari iu tha partnerëve të NATO-s se Pakistani do të kontribuojë me 20 milionë dollarë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG