Ndërlidhjet

Zgjedhjet historike në Egjipt: Kush janë garuesit?


Egjipti voton për president
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:58 0:00

Egjipti voton për president

Në Egjipt vazhdon sot dita e dytë e votimeve për zgjedhjet presidenciale – të parat që nga rënia e sunduesit veteran, Hosni Mubarak. Nëse asnjëri nga 12 garuesit nuk siguron më shumë se 50 për qind të votave, dy të parët do të përballen në balotazh më 16 dhe 17 qershor.


Çfarë sugjerojnë sondazhet e opinionit në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Egjipt?

Asnjëri nga sondazhet e opinionit, të realizuara para votimeve të së mërkurës dhe së enjtes, nuk konsiderohet tregues i besueshëm i fituesit eventual. Kjo, për shkak se gjysma e votuesve, vetëm pak ditë para fillimit të raundit të parë të zgjedhjeve, kanë thënë se janë të pavendosur.

Marina Otauej, bashkëpunëtore në Institutin “Carnegie Endoëment” e sheh në këtë mënyrë luftën për pushtet:

“Ne jemi ende në mes të tranzicionit dhe tranzicioni është shndërruar në një betejë katërpalëshe ndërmjet ushtrisë dhe palëve të regjimit të vjetër, që janë ende të pacenuara, pastaj partive islamiste, partive laike dhe protestuesve në rrugë. Një luftë e vështirë po zhvillohet në mes të këtyre katër grupeve politike”.

Fillimisht, për presidencën kanë garuar dhjetëra kandidatë. Por, 10 nga ta janë diskualifikuar në muajin prill nga Komisioni i Lartë për Zgjedhjet Presidenciale, duke mbetur vetëm 12 kandidatë në garë.


Kush janë kandidatët islamikë?

Sondazhet e opinionit tregojnë se ish-anëtari i Vëllazërisë Myslimane, Abdel Moneim Abul Fotouh, është në mesin e pretenduesve kryesorë.

I parë si islamist i moderuar, në krahasim me radikalët salafistë, Fotouh ka fituar besueshmëri revolucionare duke iu bashkuar demonstruesve jashtë Gjykatës Supreme të Egjiptit, në ditën e parë të kryengritjes kundër Hosni Mubarakut, në janar të 2011-s.

Apeli i tij për votuesit me prejardhje të ndryshme ideologjike e bën atë të duket si një kandidat konsensual për votuesit, të cilët duan që vendi i tyre të lëvizë larg polarizimit në rritje ndërmjet islamistëve dhe liberalëve.

Koalicioni i gjerë i Fotouhit përfshin partinë ultra-konservatore Al Nour dhe aktivistin liberal, Vael Ghonim.

Ndërkaq, kandidat i Vëllazërisë Myslimane është Muhamed Morsi. Ai ka qenë kryetar i Partisë “Liri dhe Drejtësi” që nga themelimi i saj pas përmbysjes së Mubarakut.

Morsi fillimisht është propozuar si kandidat rezervë presidencial, por ka kaluar në kandidatin kryesor të lëvizjes pasi Khairat El Shater është diskualifikuar nga Komisioni i Lartë për Zgjedhjet Presidenciale.


Kush janë kandidatë kryesorë laikë?

Ish-kreu i Ligës Arabe, Amer Musa – një kandidat i pavarur me kredenciale diplomatike ndërkombëtare – është njëri nga garuesit kryesorë laikë.

Musa ka qenë sekretar i përgjithshëm i Ligës Arabe nga viti 2001 deri më 2011. Ai, po ashtu, ka qenë ministër i Jashtëm i Egjiptit në periudhën 1991-2001 dhe ka shërbyer si ambasador i këtij vendi në Kombet e Bashkuara, Indi dhe Zvicër.

Për Këshillin Ushtarak, i cili kryeson Egjiptin që nga rënia e Mubarakut, favorit i pashpallur është Ahmed Shafik.

Ai ka qenë kryeministri i fundit i epokës së Mubarakut – pozitë kjo që ka mbajtur vetëm për një muaj. Para saj, karriera e tij 40-vjeçare ushtarake ka arritur kulmin me postin e komandantit të Forcave Ajrore të Egjiptit. Ai, po ashtu, ka shërbyer si ministër i Aviacionit Civil nga viti 2002 deri më 2011.

Shafik ka qenë në mesin e 10 kandidatëve të diskualifikuar në muajin prill, por, me ankesë, është rikthyer nga paneli gjyqësor. Kritikët e quajnë Shafikun mbetje të regjimit të Mubarakut.

Çfarë duan protestuesit?

Shumë të rinj egjiptianë, të cilët vazhdojnë demonstratat në rrugë edhe pas rrëzimit të Mubarakut, duan që të gjithë të mbeturit e regjimit të vjetër të largohen nga pushteti.

Shumë, madje, thonë se kryengritja e vitit 2011 është uzurpuar kur Këshilli Ushtarak i Egjiptit ka marrë pushtetin.

Islamistët kanë mobilizuar protesta masive, duke bërë thirrje për rol më të madh të Ligjit të Sheriatit. Islamistët po ashtu kërkojnë reforma në forcën policore – me më shumë respekt për të drejtat e njeriut.

Të gjithë kandidatët janë zotuar se do të luftojnë krimin në rrugë, që është përhapur në masë të madhe që nga rënia e Mubarakut.


Çfarë do Këshilli Ushtarak?

Analistët thonë se Këshilli Ushtarak i Egjiptit do që të ruajë rolin e prapa-skenës në tranzicionin politik. Ai, po ashtu, do që të ndalojë qeverinë civile të ketë rol mbikëqyrës në buxhetin e ushtrisë.

Është e qartë se ushtria favorizon Shafikun – një personalitet me karrierë të gjatë ushtarake.

Analistët thonë se edhe Musa do të ishte i preferuar në sytë e Këshillit Ushtarak ndaj ndonjë islamisti apo kandidatit majtist, sepse ai është një person i njohur për të.

Presidenca e Fotouhit do të paraqiste sfidë për ushtrinë. Fotouh ka bërë fushatë për zëvendësimin e skalionit të lartë të ushtrisë me udhëheqës më të rinj – çfarë paraqet shqetësim për juntën ushtarake, në kohën kur do të hartohet edhe kushtetuta e re.(v.t.)
XS
SM
MD
LG